Marsida Xhaferllari, e dekretuar dhe e betuar tek Presidenti Ilir Meta, si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, do të jetë ditën e mërkurë në KPA për të kërkuar marrjen e statusit të magjistratit, i domosdoshëm për të qënë pjesë e institucionit më të lartë gjyqësor.
Më datë 27 dhjetor ora 09:30, sipas njoftimit të nxjerrë nga KPA, Xhaferllari do të gjykohet në dhomë këshillimi çështja (JR) nr.29/2019, datë 30.05.2019 që i përket ankimit të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit Marsida Xhaferllari, kundër vendimit nr. 115, datë 11.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga:
Kryesues: Ardian Hajdari
Relatore: Ina Rama
Anëtarë: Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo
Seanca në dhomë këshillimi do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
Marsida Xhaferllari humbi statusin e magjistrates për shkak se nuk i është nënshtruar testit të magjistraturës.
Ky është vendimi që është dhënë tani nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, teksa Xhaferllari në atë koë ishte kandidate për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si për një nga vakancat e hapura për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Pasi hetoi në të tre kriteret dhe mbajti një seancë të gjatë dëgjimore me Marsida Xhaferllarin, KPK njoftoi se nuk mund të merrte një vendim në rastin e saj.
“Trupa gjykuese me shumicë votash vendosi të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit Marsida Xhaferllari, pa një vendim përfundimtar për çështjen, për shkak se objekti për të cilin ka nisur procedura është bërë e pamundur”, tha kryesuesja Firdes Shuli gjatë seancës së njoftimit të vendimit.
Sipas vendimit të shpallur të KPK Xhaferllari kishte humbur statusin e magjistratit dhe për rrjedhojë nuk mund të vendosej për të njësoj si për subjektet e tjera.
Dosja ndaj Xhaferllarit u shqyrtua nga një treshe e kryesuar prej Firdes Shulit, me anëtare Xhensila Pine dhe relator Roland Ilia.
Kandidate për të marrë postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por edhe për një nga vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, Xhaferllari u gjet sipas relacionit pa probleme në kriterin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës.
Megjithatë, relatori i çështjes vuri në dukje se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) kishte ngritur disa çështje sa i përket kriterit të profesionalizmit, përfshi edhe dyshimet nëse Xhaferllari kishte apo jo statusin e magjistratit.