Policia e Lezhës ka parandaluar pëshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti në familje duke arrestuar një 36-vjeçar dhe sekuestruar një automatik dhe 354 fishekë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E.P., 36 vjeç, banues në fshatin Troshan, Lezhë.
Ky shtetas, në oborrin e banesës, për motive pronësie, ka kanosur me armë zjarri vëllain e tij, shtetasin K.P.,30 vjeç, duke qëlluar në ajër disa herë.
Policia e Lezhës mënjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Troshan, Lezhë, ka konflikt në familje dhe të shtëna me armë zjarri, ka shkuar në vendgjarje.
Në momentin që ka parë Policinë 36-vjeçari ka hedhur armën dhe është larguar me shpejtësi nga banesa.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje dhe pas disa orësh ndjekjeje, kanë mundur të bejnë lokalizimin dhe kapjen e shtetasit E.P. në malin e Troshanit, Lezhë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe arma e zjarrit automatik dhe 354 fishekë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kanosja” dhe “Armëmbajtje pa leje”. /e.s/