Studiuesi i njohur, një nga themeluesit e PS-së, Moikom Zeqo, tregon debatet e brendshme në Partinë e Punës për reformimin e saj shumë muaj përpara Kongresit të themelimit të PS-së, 12 qershor 1991.
I ftuar në mbledhjen e Byrosë Politike të PPSH-së më 13 prill 1991, së bashku me profesor Artan Fugën dhe Maqo Lakrorin, Zeqo bën publik pas 28 vitesh qëndrimin e tij para Byrosë Politike, ku diskutohej projektprogrami i PPSHsë, që do të paraqitej në Kongresin e 10 qershorit. I vetmi që foli në këtë mbledhje, Moikom Zeqo ka rrëzuar tërësisht programin e paraqitur, duke kërkuar heqjen e marksizëm-leninizmit si filozofi shkencore, por dhe dënimin pa komplekse të gabimeve të qeverisjes moniste 45- vjeçare.
Nuk mund të mohohet fakti i jashtëzakonshëm historik se Partia Socialiste është forca kryesore politike e Shqipërisë postkomuniste. Sipas mendimit të shumë analistëve bazuar mbi realitetin, është partia më e madhe me një elektorat të përhershëm dhe të qëndrueshëm. Jo aq për arsye kronologjike (shpesh kronologjitë janë vetëm konvencionale dhe jo aq thelbësore).
Partia Socialiste është një institucion politik, që ka një trashëgimi të pjesës më demokratike dhe më përparimtare të krejt historisë së kombit shqiptar. Dështimi i komunizmit ka të bëjë me një sistem politik të caktuar, por shpesh harrohet një e vërtetë e madhe, se materiali njerëzor është gati po ai që ka qenë. E drejta e ndryshimit dhe e reflektimit në mendime dhe në ide, madje dhe e drejta e përshtatjes hyn në fund të fundit te të drejtat themelore të njeriut. Kështu, nuk ka pse sot PS-ja të quhet sipas një parimi identifikimi mekanik e njëjta gjë me PPSHnë.
Por nuk vlen asnjë kompleks fobie apo inferioriteti për të mohuar faktin se pjesa dërrmuese e elektoratit, madje edhe ajo e politikanëve më me emër të PS-së, nuk vijnë nga vakumi apo pa lidhje moshe, herë-herë nostalgjish të pjesshme, por edhe ndryshimesh të kundërta të vrullshme në Shqipërinë e para vitit 1991. Është folur shumë nga analistë seriozë, nga kundërshtarë politikë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të vërtetën e krijimit të PS-së. Zotërojmë dy teza kryesore për këtë çështje:
1) Nuk pati kurrfarë themelimi të PS-së, por thjesht një ndryshim emri formal në Kongresin X të PPSH më 12 qershor 1991.
2) Krijimi i PS-së nuk u bë në një ditë, pavarësisht nga momenti kohor dhe nga data e të ashtuquajturit pagëzim, por si pasojë e një lufte të brendshme herë-herë të padukshme për të bërë ndryshime konceptuale, madje ndryshime të tjetërsuara të vetë PPSH-së, që kish dalë tashmë përfundimisht jashtë funksionit historik. Në të vërtetë, kjo tezë e dytë është më pak e besueshme, më e ndrojtur dhe ende e paargumentuar siç duhet. Gatigati duket si një tezë në minoritet.
Fati i kësaj teze lidhet në fund të fundit edhe me ngathtësinë, ndrojtjen e ngurrimin e disa reformatorëve brenda PPSH-së, që nuk arrinin të kishin një vizion më të zgjeruar dhe më universal, por opinioni publik shqiptar dhe ai botëror e ka të domosdoshme të kuptojë përfundimisht saktë dhe qartë se nëse sot krijimi i Partisë Socialiste nis më 12 qershor 1991, kjo datë duhet respektuar saktësisht dhe jo si një akt formal, madje spekulativ dhe i përbuzshëm.
Duke qenë se për një kohë të caktuar në vitet 1990-1991 isha në thelbin e disa proceseve të mëdha që po ndodhnin në Shqipëri, ruaj disa nga dokumentet që nuk njihen publikisht, për të vërtetuar se nuk është e vërtetë, që vetëm dy fjalimet rebele dhe kontestatore në Kongresin X të PPSH-së, ku ndodhi përmbysja apo ndryshimi, qenë ato të Dritëro Agollit apo dhe të Moikom Zeqos, fjalime që shpesh konsiderohen si shtrati konceptual i programit të ri social-demokrat të PS-së. Dua të bëj të njohur për publikun e gjerë disa fakte të reja, që datojnë shumë më përpara sesa qershor i vitit 1991. Në 13 prill të vitit 1991 u bë mbledhja e asaj që kishte mbetur nga Byroja Politike e PPSH-së, për të diskutuar rreth një projektprogrami të PPSH-së në Kongresin e saj X. Ramiz Alia kryesonte mbledhjen.
Çuditërisht, në këtë mbledhje për të dhënë mendime qenë ftuar edhe pedagogu i filozofisë, Artan Fuga, Maqo Lakrori dhe unë. Projektprogrami që u paraqit në emër të Byrosë Politike tashmë fantazmë dhe të vdekur, qe tipik një program konservator, dogmatik dhe për pasojë absolutisht i papranueshëm. Situata qe delikate, sepse sundonte një formalizëm idiot dhe diskutimi qe një këmbëngulje për të mos pranuar disfatën apo fundin e pashmangshëm mbas gjysmë shekulli të një partie. Me bindje të plotë se duhej ndryshuar gjithçka sipas zhvillimeve pozitive për të ardhmen, mbajta një diskutim kundërshtues dhe kritik, që për fat ruhet akoma dhe sot i stenografuar nga sekretarja, që punonte në atë kohë në KQ të Partisë, Kristina Cupi.
Falënderoj Kristinën, e cila e ruajti dhe ma dha të plotë tekstin e stenografuar të diskutimit tim. Ky diskutim në datën 13 prill 1991 pati reagim në mbledhje dhe ndërhyrja e Ramiz Alisë në fund ishte që projektprogrami duhej të ndryshonte patjetër, sepse qe i papërshtatshëm.
Më poshtë po botoj me pak shkurtime diskutimin tim më 13 prill 1991:
DISKUTIMI I MOIKOM ZEQOS MË 13 PRILL 1991
“Materiali i paraqitur, projektprogrami, për mendimin tim, është më tepër bashkim mekanik, por pa lidhje i grupeve të punës. Jo se nuk ka ndonjë ide racionale të pranueshme, por nuk del qartë rinovimi, çfarë shkëput përfundimisht dhe pa kthim nga e kaluara, gjë që është shumë e rëndësishme.
Analiza e së kaluarës, mendoj, këtë radhë është me rëndësi kolosale historike. Duhet pasur parasysh që ne po futemi në një shoqëri demokratike pluraliste me elemente të tregut të lirë, që nuk kanë të bëjnë fare me atë koncept që kemi pasur deri sot për socializmin totalitar të dështuar. Mendoj që më tepër sesa një publicistikë politike, na duhet një program shkencor i mirëfilltë. Kjo është shumë e vështirë të bëhet plotësisht, për shumë arsye. Të parën, theksoj çështjen e teorisë.
Çështja e teorisë ka përcaktime të shumta. Në teorinë që ne afishonim, koha vërtetoi që shumë koncepte që quheshin të mirëfillta marksiste apo shkencore doli që nuk ishin të tilla. Nuk ishin aq shumë të një teorie shkencore të mirëfilltë, sesa të një publicistike politike që u zhvillua nga Lenini e këtej, që nuk i vërtetoi jeta. Kështu, vetë nocioni i marksizmit, do të thosha unë, natyrisht që ekziston dhe ky nocion në disa thelbe të veta është i parrëzueshëm deri më sot. Nuk di në filozofi që të jetë rrëzuar marksizmi përfundimisht. Më saktë si dialektikë, por në thelb shumë elemente që janë emblemuar si të pakundërshtueshme apo si themele të marksizmit, koha nuk i vërtetoi. Pra, nuk është një teori e definicuar përfundimisht nga ana shkencore dhe këtë nuk mund ta bënim sidomos ne shqiptarët në mënyrë përfundimtare, sepse kjo teori nuk është aspak një çështja jonë kombëtare sesa një çështje internacionale, sepse vetë teoria e marksizmit është vetë një doktrinë internacionale, krijuar nga të tjerët dhe jo nga shqiptarët. Ne e eksperimentuam me një fatalitet historik. Nga kjo pikëpamje, do të thosha që raporti i anës kombëtare me anën doktrinare është i tillë që ana kombëtare merr rëndësi të veçantë e përfundimtare mbi anën doktrinare. Teoria e quajtur e socializmit shkencor pati një zhvillim gjysmëshekullor, por edhe një përfundim tragjik, pati skema të ekonomisë staliniste, të centralizmit grotesk, të cilat koha i shkatërroi. Ky çast ka rëndësi jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Këtu ke të bësh me mendimin dhe me praktikën e gati gjysmës së njerëzimit. Po a kemi të bëjmë me terma shkencorë? Definicione publicistike mund të bësh dhe në një Kongres, mund të bëhen shumë oratorira, por është diçka më serioze sot të synojmë një definicion shkencor sa më të vërtetë, pra, teoria të mos trajtohet si publicistikë. Çfarë do ta përcaktojë atë, që është quajtur marksizëm? Çfarë mbetet nga kjo teori e palëkundur? Mbase mbetet dialektika e parime të tjera, siç është drejtësia sociale.
Agolli Ps
(“Dialektika ka ekzistuar shumë kohë më parë”, – ndërhyn Ramiz Alia).
Dialektikën ne nuk e respektuam, shoku Ramiz. Qe dialektikë retorike. Në projekt, programin e partisë siç paraqitet, ne mund ta quajmë akoma marksiste një gjë që të tjerët nuk do ta quanin marksiste, ose ne mohojmë dhe hedhim poshtë një gjë tjetër, që të tjerët mund ta quanin marksiste. Kështu që, kjo do të krijonte një konfuzion të pafund. Ne paraqitemi përpara botës, përpara kombit tonë në radhë të parë, kështu që do të krijonim telashe të tilla, luftëra të pafundme dhe të kota teorike, do të bënim pastaj si në mesjetë debate teologjike shterpe dhe të skajshme dhe të mos harrojmë “Kur Kostandinopoja bie, nuk bëhen diskutime teologjike çfarë seksi kanë engjëjt”. Besoj se më kuptoni. Unë do të thosha që formula që është dhe në këtë projektprogram: si “Marksizëm-Leninizëm” të hiqet përfundimisht për të ardhmen, si formulë aspak shkencore dhe konfuze e të themi se partia frymëzohet dhe udhëhiqet nga idealet e socializmit demokratik europian, nga humanizmi.
Ana doktrinare është (n.q.s është) në shërbim të problemeve kombëtare dhe nuk është problemi kombëtar në shërbim të anës doktrinare. Çështja e analizës të së kaluarës mua më duket me rëndësi vendimtare. Nuk jemi më në kushtet moniste, jemi në realitetet pluraliste. N.q.s ne nuk do të marrim vetë iniciativën për të thënë gabimet e mëdha të partisë, ashtu si çdo parti që nuk merr iniciativë, ne do të humbasim. Iniciativa është shpirti i partive. Natyrisht, iniciativa e argumentuar, shkencore, logjike e kohës. Në mënyrë përfundimtare e pa lëkundje që duhet të shkëputemi nga gabimet e mëdha të së kaluarës. Këtu duhet të përcaktojmë çfarë ishte objektive, sepse ka edhe elemente objektive (p.sh. Jalta e përcaktoi gjeografinë e sistemit ku u përfshimë edhe ne). Formula kryesore e shpjegimit është vështrim historik, duke u nisur dhe nga shumë aspekte të tjera të konditave shumë të veçanta, specifike, që ka pasur Shqipëria.
Po të themi dhe se çfarë qenë gabimet voluntariste. Gabimet voluntariste qenë të shumta në Shqipëri. Nuk është çështje sentimentalizmi. Kështu është çështja, që po të mos e bëjmë këtë, ne ndodhemi pastaj përpara alternativës, që afishimi i partisë në popull do ta quaja unë, nuk do të ngjiste më. Kjo është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme. Kongresi i ardhshëm këtë ka kryesoren. Të realizojë shkëputjen me vendosmëri nga e kaluara, gjë që do të ishte një kontribut modest edhe në plan kombëtar. Duhet të shkëputemi nga koncepte të monizmit që na mundojnë.
Në kushtet e shoqërisë pluraliste, edhe raporti i ideve tona me teoritë e tjera është një raport tjetër, është raport pluralist. Çdo parti në një kohë të caktuar do ta ketë dhe një alternativë të sajën dhe mund t’ia marrë një partie tjetër pushtetin. Po ahere ne duhet të jemi të pajisur me një program shumë afatgjatë, shumë më të lakueshëm, shumë më të përdorshëm në shoqëri. Mund të argumentoj. Ne kemi kujtuar se kemi qenë dialektikë. Po a janë dialektike fenomenet puriste socialiste? A ishte kjo dialektikë?! Kjo nuk ishte dialektikë, sepse dialektika dhe purizmi janë të kundërt. Fenomenet puriste, të cilat ne kemi menduar se mund të ndodhin në komunizëm, janë gjithashtu utopike. Nuk e dinim që mund të ndodhnin apo jo në komunizëm, sepse nuk mund të nisesh nga një dëshirë e papërmbajtur, naive, e pastër ndoshta, që ne shqiptarët do ta sillnim komunizmin shumë shpejt (?!).
Por kjo nuk ishte shkencore. Ahere, kush është qëndrimi që duhet të mbajmë? Unë mendoj që duke reflektuar ndaj gabimeve, mund të jemi shumë më tepër shkencorë. Nga kjo pikëpamje, nuk kemi një tradhti të teorisë (!), siç mund të mendohet nga shumë njerëz, sesa mund të kemi një të vërtetë më afër jetës, apo dhe një arritje dhe mendim më shkencor. Fjala vjen, në Shqipëri u hoq sistemi fiskal. Po ky ishte një naivitet i marrë. Sistemi fiskal është vetë shteti dhe shteti zhduket vetëm po të zhduket shoqëria, ose në një të ardhme shumë të largët. Për sa i përket luftës së klasave.
Teoria e Stalinit, që lufta e klasave sa vjen e përparon, ashpërsohet më shumë, ishte një teori anormale. Sipas kësaj logjike në komunizëm, njerëzit duhej të vriteshin me njëritjetrin me armë. Pra, një katastrofë. Në Shqipëri, në praktikë, ajo që u quajt lufta e klasave nuk u bazua në atë që quhet normë juridike, por për një gabim njeriu e pësonte vetë ai, por edhe të tjerët, pra nuk respektohej norma dhe rasti juridik i çdo personi pavarësisht nga të tjerët, s’kishte shtet ligjor. Kjo krijoi eksese, të cilat na kanë kushtuar jashtëzakonisht shumë. Nga ky këndshikim, unë do të thosha, jo të flasim për luftën e klasave në projektprogram, por do të flasim për shtetin ligjor, i cili në fund të fundit është i vetmi mjet, me të cilin mund të luftohet për drejtësi sociale.
Nuk bëhet më fjalë për barazi sociale, bëhet fjalë për përpjekje, për drejtësi sociale, sepse barazia është një koncept shumë abstrakt. Barazia nuk mund të ekzistojë, përveçse si pabarazi, gjë që deri diku e ka sqaruar dhe Marksi te “Kritika e programit të Gotes”, por ama s’duhet harruar që te kjo vepër e Marksit filluan dhe një mori gabimesh fatale të interpretimeve të gabuara të socializmit real. Vetë njerëzit nuk janë me aftësi të barabarta dhe sidomos futja në marrëdhënie të tilla pluraliste, do ta tregojë qartë këtë gjë