I ftuar në studion e Repolitix me gazetarin Denis Minga në Report TV, kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi u shpreh se për krizën politike në vend po përdoret si pretekst Gjykata Kushtetuese.
Ai tha se roli i Metës është i pakuptimtë pasi ai nuk ka reaguar as në kriza më të mëdha se kjo, siç ishte rasti i daljes së opozitës nga Parlamenti.
“Në optikën time unë nuk mendoj se është vetëm Gjykata Kushtetuese në thelbin e kësaj krize. Ajo thjesht po përdoret si pretekst.
Nuk është arsyeja e vërtetë sepse ka pasur gjëra më të rënda se kjo. Po marr shembullin e ikjes së opozitës nga parlamenti e cila është më e rëndë se marrja e një anëtari të kushtetuese dhe Meta nuk luajti ndonjë rol për atë çështje.
Qeveria duhet të marrë përsipër sundimin me arrogancë dhe opozita të mbajë përgjegjësi për djegien e mandateve. Në rast se kjo nuk ndodh ne do biem në një krizë tjetër. Ne nuk do dalim dot nga spiralja”, u shpreh Patozi.
Patozi ironizoi takimet e liderit demokrat Lulzim Basha duke thënë se teksa Meta bën thirrje popullit që të kapin armët, Basha duhet të rreshtohet krah tij për të përballuar këtë situatë të ‘vështirë’.
“Kur presidenti thotë këtu po bëhet nami, lideri i opozitës është duke folur me fermerët. Kur Meta thotë duhet të marrim armët, Basha minimumi duhet të linte fermerët dhe t’i dilte në krah.
Thelbi i kësaj krize është kryetarokracia. Jemi në Republikën e kryetarëve ku kryetari më i keq është kryeministri. Ne kemi marrë një tatëpjetë pas 2009. Shqipëria ka hyrë në kriza të pashembullta. Provat janë dhënë”, deklaroi Patozi.