Ekspertët ndërkombëtarë nuk i kanë mbyllur dyert propozimit të opozitës së bashkuar për financim 100% nga fondet publike të partive politike dhe fushatave zgjedhore.
Deklarata u bë nga Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, pas tryezës së organizuar nga OSBE për reformën zgjedhore.
“Ekspertët ndërkombëtarë kanë ilustruar këndvështrimet e tyre lidhur me pikat e dobëta për financimin e partive. Nuk ka pasur asnjë mbyllje të tyre ndaj propozimit tonë për financim 100% nga shteti dhe kriminalizimin e fondeve private”, tha Kaso.
Përfaqësuesi i PD-së nënvizoi se financimi i partive politike në përgjithësi dhe fushatave zgjedhore në veçanti, është një çështje që kërkon kontributin e të gjitha palëve.
Gjithashtu Kaso tha se mazhoranca nuk është shprehur as pro as kundër propozimit të opozitës për financimin 100% të fushatave zgjedhore nga buxheti i shtetit.
“Prania jonë tregon angazhimin tonë në Reformën Zgjedhore. Mazhoranca nuk ka shprehur qëndrim të qartë për propozimin tonë. Nuk e prekën çështjen e financimit dhe nuk pati ndonjë reagim negativ në lidhje me propozimin. As nga PS nuk vërejtja ndonjë mbyllje të propozimit tonë. Opozita me anë të ekspertëve të saj do të bëjë të pamundurën që propozimet e saj të detajuara të jenë në dispozicion të publikut sa më parë të jetë e mundur. Hapat e tjerë të miratimit formal nuk mund të parashikohen në këtë moment”, u shpreh Kaso.
Përfaqësuesi i PD-së tha se propozimet e opozitës shumë shpejt do të materializohen me një draft.