Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Klosi shprehu bindjen se përplasja për Kushtetuesen është artificiale dhe se e gjithë kjo luftë mes mazhorancës dhe kreut të shtetit bëhet për ta dominuar, madje për ta kapur këtë institucion, në mënyrë që të vendosin njerëz të tyre në këtë institucion.
Më tej, ish-kreu i SHISH u ndal edhe tek nisma e mazhorancës për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra, për të cilën theksoi se kreu i shtetit me luftën që i ka shpallur shumicës po i jep dita ditës arsye kryeministrit Edi Rama për ta shkarkuar atë nga detyra. Sa i takon thirrjeve për armatosje të artikuluara nga presidenti Ilir Meta javën që lamë pas, zoti Klosi deklaroi se thirrje të kësaj natyre janë kriminale dhe se kreu i shtetit ka gabuar në këtë pikë.
Duke komentuar situatën brenda opozitës, ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror theksoi se Basha e ka kuptuar që protestat nuk prodhuan gjë dhe kanë nisur tur takimesh me qytetarët. Nga ana tjetër, zoti Klosi komentoi edhe thirrjet e Berishës për revolucion, duke u shprehur se ish-kryeministri synon që të përdorë Bashën në këtë mes.
Zoti Klosi, ditët e fundit Presidenca dhe Qeveria kanë nisur një përplasje të fortë për Gjykatën Kushtetuese. Si e shihni këtë konflikt?
Përplasja mes Qeverisë dhe Presidencës për Gjykatën Kushtetuese është shumë e shëmtuar. Kjo pasi duket shumë qartë që nuk është hequr akoma dorë nga ideja për të pasur të tutë, apo dominimin në institucione. Domethënë të gjitha këto bëhen me një paramendim, të vëmë njerëzit tanë, të na shërbejnë njerëzit tanë. Kështu që, është për të ardhur keq.
Si e shpjegoni faktin që tek ne nuk ekziston koncepti i bashkëpunimit, pasi kjo çështje mund të zgjidhej shumë lehtë nëse palët koordinoheshin me njëra-tjetrën?
Shiko! Të gjitha gjërat në këtë vend mund të zgjidheshin shumë lehtë, jo vetëm kjo e Gjykatës Kushtetuese, pasi janë çështje njerëzish, nuk janë çështje Perëndie. Pavarësisht se unë nuk besoj tek gjetja e gjuhës së përbashkët mes aktorëve të klasës politike. Pra, këto gjëra nuk janë se vijnë nga qielli dhe nuk mundet që të zgjidhen nga njerëzit, këto janë probleme që janë shpikur nga njerëzit dhe ata duhet t’i zgjidhin. Ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë tërmetit, por për të zgjidhur këto probleme, padyshim që janë lehtësisht të zgjidhshme, pasi janë punë njerëzish. Kjo do të thotë se në qoftë se politikanët këtu heqin dorë nga interesat e tyre dhe iu përkushtohen interesave të vendit, mendoj se është e zgjidhur kjo punë.
A mendoni se Partia Socialiste do t’i shkojë deri në fund shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga detyra apo është lëkundur?
Nuk di të them me përgjegjësi, pasi nuk jam atje brenda që të vlerësoj opinionet e ndryshme. Por di të them që nga jashtë lufta mes mazhorancës qeverisëse dhe presidentit Ilir Meta është shumë e fortë. Kemi një luftë të fortë. Dhe arsyet si të thuash, arsyet e vjetra që kishte Partia Socialiste, po i shtohen edhe arsyeja të rreja, duke shtuar kështu edhe oreksin për të çuar deri në fund nismën e saj për shkrimin e Metës nga detyra. Pra, dita ditës mazhorancës Meta po i jep arsye të reja për ta shkarkuar, sidomos me këto zhvillimet e fundit që po ndodhin. Por se sa të vendosur janë si mazhorancë për ta shkarkuar Metën, nuk mund ta them dhe gjithçka mbetet të shihet.
Presidenti Ilir Meta ka shtuar dozën e reagimit kundër qeverisë dhe ka përmendur rrëmbimin e armëve. Si mendoni ju ka qenë moment gjaknxehtësie apo situata është e tensionuar?
Shiko! Përse të armatoset populli që të vrasin njëri-tjetrin?! Kjo pasi armatosja e popullit do të thotë Luftë Civile. Kështu që, nëse ka ndonjë gjë të gabuar në retorikën politike, është pikërisht thirrja për armatosjen e popullit. E para kush do ta armatosë? Me çfarë qëllimi do të armatoset? Dhe sa janë nga njëra anë, pasi janë dy anë këtu. Ka një popull, të cilit i drejtohet presidenti dhe ka një popull që është kundër presidentit. Kështu që, në qoftë se presidenti Ilir Meta ka folur për armë e ka jashtëzakonisht gabim. Madje, do të thosha jo gabim, por kjo thirrje është krim dhe është faji i rëndë që kreu i shtetit të flasë për armatosje. E tentoi Sali Berisha në ‘97 dhe e dimë çfarë katrahure u bë asokohe. Dhe sot që Shqipëria është më mbrapa se çfarë ka qenë është si pasojë e vitit ‘97. Prandaj dhe sot janë partnerët ndërkombëtarët që po asistojnë Shqipërinë, që të mos përsëriten më këto ngjarje. Kështu që një thirrje e presidentit Ilir Meta për armatosjen e popullit më duket çmenduri.
Si e shihni faktin që kryedemokrati Lulzim Basha ka filluar të mënjanohet nga thirrjet e Berishës për protesta dhe ka nisur një tur takimesh në bazë?
Unë jam i sigurtë që Lulzim Basha e provoi me protestat dhe konstatoi që protestuesit ishin çdo ditë edhe më pak, pavarësisht artikulimeve të tij se çdo protestë ishte më e madhja në këto 30 vjet, etj. Pra, muhabete kot domethënë. Protestuesit e opozitës në fillim ishin shumë, por pastaj nga protesta në protestë kishim rrudhje të madhe dhe në përfundim mbeteshin vetëm militantët, të cilët përplaseshin me policinë. Kjo do të thotë se protestat e opozitës lanë një përshtypje shumë të keqe. Kështu që, Basha u bind që nuk ke gjë me protesta, pasi këto krijojnë probleme me policinë, krijojnë probleme në popull, se natyrisht mbyllet rrugët, etj. Pra, protestat dhe sidomos ato të dhunshmet nuk e zgjidhin problemin, pasi problemi zgjidhet në Parlament dhe jo në rrugë. Opozita ka bërë një gabim të madh që dogji mandatet. Thoshin që s’na pyet mazhoranca, le ta kërkonin më fort dhe të bënin ballafaqime në Kuvend. Në këtë pikë, unë besoj se Basha e ka kuptuar lojën e Berishës dhe e ka të qartë edhe punën e protestave, pasi i nisi ato që në mars dhe zgjatën deri në fillim të beharit, duke mos prodhuar gjë. Kështu që, edhe sikur protestat e opozitës të nisin sërish, Sali Berisha nuk ka më asnjë përgjegjësi dhe e ka shumë kollaj që të bëjë thirrje për protesta të dhunshme.
Si e shpjegoni faktin që ish-kryeministri Sali Berisha në çdo dalje publike kërkon revolta dhe rrëzim qeverie?
Po le të dalë Sali Berisha që t’i grumbullojë njerëzit dhe t’i nxjerrë në protestë kundër qeverisë. Ore, nuk të vjen njeri më dhe ata që vijnë janë plot njerëz për të protestuar. Por kur vjen puna pastaj tek “armatosja” e protestës, ku përplasen me policinë dhe institucionet, pasi Berisha këtë pëlqen, mbeten militantët. Berisha nuk do protesta të qeta, por të dhunshme dhe në fund nuk e ha Berisha që i ndërsen, por militantët, pasi policia këta arreston dhe mbeten në burg. Pra, një protestë të dhunshme nuk e paguan Berisha, por militantët. Kështu që, Berisha bën thirrje për protesta të dhunshme, në mënyrë që ta hajë Basha, pasi Berisha nuk mban përgjegjësi. Madje, Berisha tenton ta shfrytëzojë momentin, pasi ai nuk ka më votë në PD dhe kërkon revolta. Në këtë mes përgjegjësia është e Bashës.
Si e shihni marrëdhënien mes PD dhe LSI dhe a mendoni se do të funksionojë kjo martesë?
Shiko! E para marrëdhënia mes PD dhe LSI nuk është martesë. Kjo pasi të dyja këto forca politike kanë shfaqur ndryshime në opinionet politike. Kështu që, PD dhe LSI janë bashkuar tani se kanë përballë Partinë Socialiste. Por nuk të bashkon urrejtja për një të tretë, por të bashkojnë programet, të bashkojnë opinionet e njëjta për gjërat. Pra, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka asnjë shans që të jenë bashkë. LSI ka luajtur, pasi është edhe parti e vogël dhe është e detyruar të bëjë edhe dredha në spektrin politik shqiptar. Kjo do të thotë se LSI dhe PD asnjëherë nuk kanë qenë të bashkuara me njëra-tjetrën. Madje, Edi Rama po të ishte treguar më tolerant, ose më saktë do të tregohet në të ardhmen dhe t’i premtojë ca gjëra më shumë se Basha, Lëvizjes Socialiste për Integrim, kjo e fundit sigurisht që do të kthehet tek Partia Socialiste. Kjo ka qenë e gjitha dhe LSI është parti e vogël, ku arriti të kishte goxha deputet, por sërish është në rënie. Dhe natyrisht këtu ka kontribut dhe Edi. Kështu që, nuk e quaj dhe nuk besoj se bashkëpunimi mes PD dhe LSI do të vazhdojë gjatë.
Më 25 nëntor pritet të ngrihet SPAK edhe pse shumë skeptikë nuk mendojnë kështu. A mendoni se SPAK do të luftojë korrupsionin në nivel të lartë zyrtarësh?
Unë mendoj se SPAK do të godasë fuqishëm zyrtarët e lartë, pasi ky institucion për këtë punë është krijuar. SPAK, nuk është krijuar nga politikanë shqiptarë, por nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët po e monitorojnë nga shumë afër, madje nga brenda ngritjen e SPAK. Kështu që, besoj se SPAK do të luftojë pushtetarët e korruptuar. Mbase kjo luftë do të vonojë pak, pasi dëgjoj juristë nëpër ekrane televizionesh, se mungon kjo dhe mungon ajo, që janë njerëz që e kanë kollaj të kritikojnë. Por fakti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian e mbështesin fuqishëm ngritjen e SPAK, shpresoj se do ta bëjnë. Lufta ndaj politikanëve të korruptuar nuk është e pamundur. Kjo punë do pak vullnet, pak frikë, pra me shumë gjëra, mund të arrihet kjo luftë. Pasi politikanët po e pengojnë ngritjen e SPAK. Por që nuk mund ta pengojë, pasi pas SPAK janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si e shkoni nismën e mazhorancës qeverisëse, e cila po përgatit një ligj special për të goditur krimin e organizuar dhe prokurorët e gjyqtarët e korruptuar?
Kam dëgjuar llafe, por se kam parë. Por fakti që synon të godasë pasuritë e të korruptuarave vlen për t’u përgëzuar. Kjo pasi që shteti të bredhë pas pasurive të krimit dhe të të korruptuarve dhe për t’i kërkuar llogari se si i kanë krijuar këto pasuri është gjë e mirë. Unë mendoj se me ndihmën e partnerëve është shumë e kollajshme që të zbulosh pasuritë e vendosura nga krimi dhe korrupsioni. Kjo pasi nuk është puna për paratë e fshehura nëpër bankat shqiptare, por ato jashtë Shqipërisë. Problem sot janë pasuritë e fshehura jashtë dhe ka shumë politikanë dhe grupe kriminale që i kanë fshehur jashtë dhe janë kujdesur që t’i fshehin mirë dhe kanë marrë masat që ta bëjnë të vështirë lokalizimin e tyre, por jo e pamundur. Me ndihmën e partnerëve paratë e fshehura jashtë janë kollaj të zbulueshme. /e.s/