Panairi “Shqipëria punon tokën” në ditën e dytë të zhvillimit të tij, e ka shndërruar sheshin “Skënderbej” të Tiranës, sheshin më të madh të Shqipërisë, në atmosferën më të madhe festive të prodhimeve të fshatit në qytet.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi përmes një video tregon atmosferën e jashtëzakonshme që ka sjell ku panair për qytetarët e Tiranës të cilët kanë mundësi të prekin nga afër dhe të shijojnë larmishmërinë e produkteve ushqimore me cilësi të lartë.
“Sheshi “Skënderbej” si kurrë më parë. Panairi “Shqipëria Punon Tokën” një fermë e madhe në zemër të Tiranës”, shprehet ministri Çuçi.
Ky panair mbetet vitrina më e mirë për promovimin e produkteve shqiptare. Sivjet është edicioni i tretë i panairit, i cili po kthehet në një traditë të përvitshme. Në këtë panair janë mbi 400 fermerë dhe sipërmarrës në fushën e agrobiznesit.
“Shqipëria Punon Tokën” është një mundësi e shkëlqyer komunikimi e fermerëve me njëri-tjetrin, për të shkëmbyer eksperienca, për të ndarë histori suksesi dhe vizionin se si mund të zhvillohet më tej bujqësia shqiptare, blegtoria, akuakultura, sektori i agropërpunimit e deri tek agroturizmi.