Analiza e zgjedhjeve në PD-në e degës së Beratit është shoqëruar me debate dhe akuza, ku të deleguarit e “selisë blu” në Berat, Edmond Spaho, Enno Bozdo, deputeti Genc Pollo e Astrit Veliaj janë përballur me kritika të ashpra me bazën e partisë, por ka pasur edhe akuza të ndërsjellta midis tyre, sipas asaj që raporton gazeta “Shekulli”.
Debatet
Teksa është folur për arsyet e humbjes, në debat është përshirë edhe deputeti i Qarkut të Beratit, Astrit Veliaj, i cili akuzoi drejtuesit e PD-së se kanë marrë ryshfet në këmbim të futjes së emrave në listën e këshilltarëve të PD-së. “Keni marrë 1500 euro për një vend në këshill bashkiak”, i është drejtuar Veliaj, grupit të punës, i cili kryesohej nga Spaho dhe Pollo. Teksa i është kërkuar që të sqarojë këtë deklaratë gjatë analizës, Veliaj ka thënë se nuk është i rëndësishëm publikimi i emrave, por sipas tij, ky është një fenomen që ka ndodhur dhe është e pamohueshme. “Nuk kanë rëndësi emrat por ajo që ka ndodhur.
Është e vërtetë që kandidaturat e këshillit janë shitur dhe të gjithë e dinë se kush i përcaktoi kandidaturat e Beratit, kur kryesia e PD-së u anashkalua hapur. Por kjo nuk është gjë, para kandidimit të komunistëve të njohur në listat e PD-së. Por edhe kjo duket pak po të kemi parasysh që njeri prej tyre ka qenë i dënuar në Itali për afera kriminale”, është shprehur Veliaj. Më tej deputeti demokrat ka këshilluar demokratët se nuk mund të vijnë në pushtet pa i zgjidhur këto probleme. “Nëse nuk themi të vërtetën siç është, dhe nuk i rregullojmë problemet që kemi, ne nuk mund të vijmë kurrë në pushtet. Le të mërzitet kush të dojë. Është e qartë që pushteti ka rënë por nuk ka kush ta marrë”, ka thënë Veliaj.
Deputeti Genc Pollo në fjalën e tij, duke u munduar të përcjellë një mesazh për të ulur gjakrat, tha se degës së PD-së në Berat i duhet një riorganizim më i mirë, pasi sipas tij baza nuk bashkëpunoi me të dërguarit që PD-ja kishte në këtë qark. Por deklarata e Pollos për të hequr përgjegjësinë nga koordinatorët dhe kryetari i degës nuk është pritur mirë nga anëtarët e kryesisë. Ata e kanë cilësuar këtë, një përpjekje për t’i ngarkuar përgjegjësinë bazës. “Ka një përpjekje prej të dërguarve nga qendra e PD-së për t’i lënë fajin e dështimit në Berat, bazës. Por kjo nuk është e vërtetë, sepse votat kanë treguar se ne kemi pasur një rritje të madhe dhe ky ka qenë maksimumi ynë. Ndërsa ne kemi vërejtje për koordinatorët që janë caktuar në Berat. Më shumë e kanë dëmtuar, se sa e kanë ndihmuar”, mësohet të ketë thënë Arenc Berati.
Analiza
Pas prezantimit të analizës me shifra krahasuese nga ana e nënkryetarit të PD-së Edmond Spaho, kanë nisur diskutimet për përgjegjësitë që ka pasur secili në humbjen e opozitës në bashkinë e Beratit. Më pas pjesë e debatit dhe kritikave janë bërë dhe anëtarët e kryesisë, të cilat kanë pasur rezerva po ashtu për pa përcaktimin e listës të këshilltarëve, aspekte që sipas anëtarëve të kryesisë së PD-së çuan edhe në nivel kaq të ulët të përfaqësimit në Bashkinë e Beratit.
Mësohet se ka qenë ishkreu i PD-së në këtë degë Arenc Berati që ka ngritur problemin e pasivitetit të PD-së si dhe zgjedhjen e këshillave bashkiakë. “Një listë e këshilltarëve u përpilua nga kryetari i degës së PD-së, një nga sekretari dhe një tjetër kandidati për kryebashkiak i PD-së në Berat. Por sikur të mos mjaftonte kjo në listën e PD-së u futën komunistë të njohur në Berat, por që nuk ishin propozime të PD-së”, ka thënë ish-kreu i degës së PD-së në Berat.
Dega e Korçës humbet dhe nuk ndëshkohet
Dy ditë më parë grupi i Punës së PD-së ka bërë analizën në degën e Korçës për gjetjen e arsyeve të humbjes së opozitës në zgjedhjet lokale. Edhe pse rezultatet në këtë degë kanë qenë shokuese për demokratët, grupi i punës ka kursyer këtë degë duke justifikuar si kryetarin e degës ashtu dhe koordinatorët që ishin të caktuar në këtë qark. Grupin e Punës e kryesonte nënkryetari i PD-së Arben Ristani, i shoqëruar nga deputetët Genc Ruli dhe Gjergji Papa.
Mësohet se në analizën që iu bë degës së PD-së në këtë bashki nuk janë ndalur gjatë në shifra duke i shmangur përgjegjësitë. Mbledhja ka kaluar me disa kritika që ka lëshuar deputeti Ruli në drejtim të degës së PD-së që kryesohet nga Andrea Mano. Por në fund numri dy i PD-së Arben Ristani ka nxjerrë konkluzionin se dega nuk nevojë për ndryshime në drejtimin e saj por duhen vetëm të riorganizohen grupseksionet që tani. Mësohet se pas mbylljes së analizës grupi i punës ka shijuar në Dardhë verën e zonës.
3 grupe pune analizojnë degët
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka caktuar tre grupe të punës, të cilët po analizojnë të gjitha degët e PD-së. Grupet kryesohen nga nënkryetarët Edmond Spaho, Edi Paloka dhe Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani. Secili grup përbehet nga tre anëtarë. Deri më tani grupet kanë analizuar më pak se gjysmën e degëve. Fushata e analizës së degëve nga grupet e punës ka prodhuar debate në të gjitha takimet. Dy ditë më parë, pas analizës së bërë në degën e Durrësit, grupi i punës ndëshkoi drejtuesin e kësaj dege Osman Stafa, për shkak të rezultatit të dobët që ka treguar dega e Durrësit në zgjedhjet lokale.
SHEKULLI