Kandidati miliarder i djathtë Donald Trump vazhdon të habisë me deklaratat e tij. Sipas tij, bota do të ishte një vend më i mirë, nëse diktatorët si Saddam Hussein dhe Moammar Gadhaf do të ishin ende në pushtet, Kandidati republikan për president tha në një intervistë të transmetuar të dielën në CNN, se Iraku sot është shndërruar në një “fushë stërvitjeje për terroristët.”
“Njerëzve po u pritet koka, të tjerë po mbyten. Tani gjendja është shumë më e rëndë se sa kur në pushtet ishin Saddam Hussein, apo Gaddafi,” tha zoti Trump. Sipas tij, gjendja në Lindjen e Mesme “shpërtheu” në periudhën kur President ishte Barak Obama dhe sekretare shteti ishte zonja Hillary Clinton, rivalja e tij kryesore në garën për Shtëpinë e Bardhë. Donald Trump kritikoi gjithashtu edhe vendimin për pushtimin e Irakut nga ish presidenti George W. Bush në vitin 2003.