Krimet e Rënda kanë marrë në dorë zbardhjen e vrasjes së 34-vjeçarit, Kreshnik Dashit ditën e djeshme në lagjen Kushtrim të Vlorës, pasi ngjarja ka marrë një tjetër rrjedhë. Pista kryesore ku po heton policia është ajo e një konflikti me motive familjare, duke ngritur hije dyshimi për një krim që mund të ketë ardhur pikërisht për motive familjare.
Kështu dosja e kësaj vrasje i ka kaluar për hetim Krimeve të Rënda, që kanë edhe kompetencat përkatëse. Po kështu një pistë tjetër ku po hetohet është edhe ajo e ndonjë konflikti banal. Megjithatë viktima nga ana e Policisë nuk njihet si person me precedent penal.
Trupi i pajetë i 34-vjeçarit u gjet rreth orës 06:05 të mëngjesit ditën e djeshme nga banorë të zonës, të cilët kanë njoftuar më pas policinë e shtetit. Viktima, Kreshnik Dashi, fillimisht u raportua se kishte vdekur si pasojë e një arresti kardiak por pas ekspertizës mjeko ligjore rezultoi se 34-vjeçari ishte qëlluar me armë. Dashi kishte shenja dhune në kokë dhe plagë me armë zjarri në shpatull.
Ai po kthehej nga puna rreh orës 00:00 të natës për në shtëpi dhe është vrarë vetëm pak metra larg banesës në një kohë edhe kur nuk kishte energji elektrike.
Kreshnik Dashi kishte lindur në fshatin Lubonjë të Vlorës ndërsa ishte zhvendosur në këtë lagje rreh 10-12 vite më parë. 34-vjeçari punonte në një firmë këpucësh në qytetin e Vlorës dhe ishte baba i një fëmijë 7 vjeç. /e.s/