Nga Dritan Hila
Kur para disa muajsh, gjatë protestës së studentëve, Mira Kazhani shkruante një artikull jokonformist me kauzën studentore, nënkryetari i atëhershëm i PD-së i Kuvendit, Edmond Spaho, mesa duket në tentativë për të fituar simpatinë e protestuesve, e sulmonte gazetaren me një fantazi të përdalë, sa edhe sot e kësaj ditë më nakatos zorrët. Rezultati ishte zero, pasi studentët nuk lexojnë shkrimet e Spahos.
Sot, mesa duket për të fituar simpatinë e astirianëve, njerëz të PD-së e kishin sulmuar prapë.
Në një situatë kur pushteti i Ramës është më i fuqishëm se kurrë dhe opozita më pa fantazi dhe e korruptuar se asnjëherë tjetër, është i kuptueshëm dëshpërimi. Çakejtë e rrjetit nuk lënë askënd që dëshiron të jetë i pavarur, pa sulmuar. Në fakt edhe mund të intimidojnë dikë. Anonimë apo blogje ordinere mund ta bëjnë lirshëm, megjithëse duhet të kenë të qartë që njerëzit publikë në këtë vend janë mësuar me sharjet e shpifjet. Ajo që më bën përshtypje është se po ata subjekte, individë, feministe, apo blogje, që shqetësoheshin për erzin e gruas së Makronit kur para disa javësh u talla me të, nuk u del zë për mbrojtjen e femrave publike shqiptare, kur këto sulmohen egërsisht. Dhe pikërisht për këtë janë ordinere dhe nuk ia vlen citimi. Gjeri këtu asgjë e re. Ne njihemi për nivel të lartë llumi.
Por kur opozita bëhet palë në sulmin ndaj një femre, sulmon me të njëjtën gjuhë si çakejtë e rrjetit, atëherë kemi një simptomë që tregon se ose opozitën e kanë lënë nervat, ose vuan tmerrësisht nga mungesa e fantazisë. Si antifeministe, nuk po themi. Dhe kur opozita bie në nivelin e rrugës, e ka mendjen të kapë ndonjë vilë, të shajë si rrugaçë, apo premtojë pagesa abuzuesish si në rastin e Astirit, atëherë po, që kemi një problem të madh: se nuk kemi opozitë dhe kjo përkthehet në zgjatje të pushtetit të Ramës, një hall i madh i njerëzve normalë të këtij vendi.