Një ditë pasi u vetëdorëzua në Polici, sot Gjykata e Lezhës la në burg Mikel Gjovalin Alinë, miku i ngushtë i Eri Zefit, i riu që u gjet i pajetë në fillim të tetorit.
Mikel Alia, u akuzua se nxori në pritë shokun e fëmijërisë. I njohur ndryshe dhe me emrin Gjovalin Alia, rezultonte person i shpallur në kërkim prej dy javësh.
40-vjeçari dyshohet se ka bashkëpunuar me dy persona të tjerë, të shpallur gjithashtu në kërkim, për vrasjen e Eri Zefit.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fillim të muajit tetor, në fshatin Zall-Xhuxhë të Mirditës, ndërsa mësohet se Alia prej momentit të shpalljes në kërkim, kishte qëndruar i fshehur në zonën e Fanit, po në Mirditë.
Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor mësohet se ai ka deklaruar para Policisë se nuk e ka nxjerrë në pritë shokun e tij, por kanë qenë duke udhëtuar së bashku, kur janë sulmuar nga disa persona që tentuan t’i grabisnin.
Gjatë ngjarjes, Alia thekson se autorët kanë tentuar që ta vrasin edhe atë, por ka arritur të shpëtojë.
“Kam qenë duke udhëtuar me Eri Zefin, por nuk e kam nxjerrë në pritë për ta ekzekutuar. Kanë dalë për të na grabitur dhe kanë dashur të më vrasin dhe mua”, mësohet të jetë shprehur 40-vjeçari.
Por nga hetimet e Prokurorisë, rezulton se ai e ka nxjerrë në pritë 34- vjeçarin te personat që e ekzekutuan.
Ky i fundit prej muajit shkurt 2019 kishte reduktuar lëvizjet e tij dhe frekuentimin me persona të ndryshëm, pasi i ruhej një gjakmarrjeje të mundshme, duke qenë se vëllai i tij, Ndue Zefi, në shkurt të këtij viti ka vrarë fqinjin, Martin Ndrecën, ngjarje kjo e ndodhur pas një konflikti të çastit në Durrës.
Duke qenë se ishin shokë me njëri-tjetrin, Alia dyshohet se e ka nxjerrë nga shtëpia Zefin që t’ia çonte në pritë dy autorëve ende të paidentifikuar, të cilët ishin caktuar për të kryer vrasjen. Dyshohet se ata janë larguar në drejtim të Kosovës.
Një letër-porosi e dërguar autoriteteve të drejtësisë kosovare pritet të hedhë dritë mbi hyrje-daljet e dy autorëve të vrasjes.
Letër-porosia është dërguar nga Prokuroria e Lezhës, e cila po drejton hetimin për vrasjen e Eri Zefit, duke kërkuar nga pala kosovare të japë të dhëna për dy persona që kanë hyrë në territorin e Kosovës nga Shqipëria dhe më pas janë larguar nga Kosova në drejtim të Gjermanisë.
Vetëdorëzimi i Mikel (Gjovalin) Alia pritet të ndihmojë grupin hetimor për të identifikuar autorët e vrasjes së Zefit. 34-vjeçari u gjet i vrarë pasditen e 2 tetorit në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg Rrugës së Kombit, në fshatin ZallXhuxhe të Mirditës.
g.kosovari