Për 18 muaj pa Gjykatë Kushtetuese, opozita, por edhe Presidenca, kanë akuzuar Qeverinë për bllokimin e qëllimshëm të organit më të lartë për interpretimin e Kushtetutës në vend.
Ndërsa sot, pasi Kuvendi miratoi dy anëtaret e reja, opozita dhe Presidenca akuzuan Qeverinë për shkelje të procedurave.
Me 105 vota pro, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji u përzgjodhën anëtare të reja të Gjykatës Kushtetuese duke e çuar në pesë numrin e anëtarëve të kësaj gjykate që pritet të nisë shumë shpejt punën me disa nga çështjet më të nxehta që janë bërë shkak për thellimin e përplasjes mes Presidencës dhe Qeverisë.
Çështja e zgjedhjeve të 30 qershorit, ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar, por edhe vetë kërkesa për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, pritet të shqyrtohen të parat sapo Kushtetuesja të jetë funksionale.
Por anëtaret e reja duhet të dekretohen në Presidencë ku do të kryhet edhe betimi. Ashtu si anëtari i parë i Kushtetueses, gjyqtari Besnik Muçi vendosi dorën mbi Kushtetutë dhe u betua në prani të të përfaqësuesve të institucioneve të pavarura, ambasadorëve si dhe përfaqësuese të vendeve të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E nëse Kreu i Shtetit refuzon të organizojë ceremoninë e betimit të tyre, Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji do të duhet t’i drejtohen Kuvendit. Tre anëtaret e reja mund të betohen në sallën e Parlamentit, ose t’i drejtohen Gjykatës Administrative për zhbllokimin e ngërçit.
Ambasada e SHBA, ajo gjermane dhe prezenca e BE në Shqipëri reaguan sot duke përshëndetur përzgjedhjen e dy anëtareve të reja të Kushtetueses.
E ndërsa çështja e Gjykatës Kushtetuese tashmë është shndërruar në kusht të Gjermanisë vendosur ndaj vendit tonë për çeljen e negociatave me BE.