Një orë para seancës së Kuvendit ku pritet të votohn dy anëtaret e Gjykatës Kushtetuese, presidenti u ka shkruar deputetëve përmes Facebook.
Edhe pse disa prej tyre i ka cilësuar prej kohësh si të paligjshëm, Ilir Meta kërkon që të lexojnë ligjin për GJK.
Kreu i shtetit e ka përcjellë mesazhin e tij nga Parisi përmes Facebook. Ai nuk harron të sulmojë edhe këtë herë duke u shprehur se botimet në Fletoren Zyrtare janë kontrabandë dhe se ka disa individë partiakë në Drejtësi.
Mesazhi i plotë i Ilir Metës:
Të nderuar deputetë,
Sot është një ditë tepër e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë!
Ju e dini që krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese!
Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë !
Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë!
Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.
Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!
Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!!
Përshëndetje nga Forumi i Paqes në Paris!
/javanews/a.r