Gjykata londineze “Croydon Crown Court” dënoi me 7 vite burg një shqiptar për përdhunim.
Sipas gazetës “Evening Standard”, Gentjan Faqolli, 28 vjeç, u gjet fajtor për përdhunimin e një gruaje invalide pasi krijoi miqësi me të nëpërmjet një faqe interneti.
Pas disa muaj bisedë “online” dhe telefonata, Faqolli e takoi 39-vjeçaren në shtëpinë e saj, ku edhe e përdhunoi 3 herë më 18 mars të këtij viti.
Sipas prokurorit të çështjes, viktima vuante nga invaliditet fizik, përfshi edhe probleme mendore.
Oficeri i policisë britanike që hetoi ngjarjen, Paul Barham, tha se “ky ishte një përdhunim në trajtën e një horrori të vërtetë. Faqolli injoroi lutjet e viktimës që ai të ndalonte teksa e sulmoi”.
Gentjan Faqolli jetonte në Angli ilegalisht dhe në fund të dënimit do të dëbohet për në Shqipëri.
/ Top Channel