Kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të mblidhen sot dhe të dielën në Ohër në një takim trepalësh të liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Gazetarja e Ora News, Fjorela Beleshi, mëson se sot në orën 17:30 kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev do të presë në Ohër kryeministrin Edi Rama dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Ndërkohë presidenti maqedonas Stevo Pendarovski ka rezervuar një darkë me Zaev, Ramën dhe Vuçiç.
Në axhendën e këtij takimi do të jetë një mbledhje pune ku përveç tre liderëve të Ballkanit Perëndimor do të marrin pjesë kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, dhe ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi.
Burimet bëjnë me dije se në këtë mbledhje nuk do të ketë prani të Kosovës, edhe pse pak ditë më parë ishte Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili ftoi Bosnjen, Maline Zi dhe Kosovën në këtë takim.
Pas takimit do të mbahet një seancë plenare e liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve, mes të cilëve, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Këshilli Rajonal për Bashkëpunim, Komisioni Europian, Banka Botërore dhe Banka Investuese Evropiane.
Sipas agjensive maqedonase synimi është gjetja e dakortësisë për një liste masash prioritare, kryesisht në kuadër të masave të “REA MAP”, për t’i zbatuar me ritëm të përshpejtuar brenda 2020 para Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit.
Ashtu siç është bërë e ditur edhe pas takimit të parë në Novisad këto masa lidhen me plotësimin e kuadrit ligjor dypalësh për realizimin e qarkullimit të lirë mes njerëzve me ID dhe për ato vende të cilat ende përdorin pasaporta në pikat e kalimit kufitar
Në përfundim pritet edhe një konferencë shtypi e tre liderëve të Ballkanit Perëndimor.
g.kosovari