Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin për ‘Koorporatën e Investimeve Shqiptare’, duke vijuar kështu betejën e dekreteve me mazhorancën.
Sipas Presidencës kthimi i këtij ligji është bërë me qëllim që Kuvendi të rivlerësojë edhe një herë nëse vendi ka nevojë ose jo aktualisht për një ligj të kësaj natyre dhe nëse po, ky ligj duhet të përmirësohet. Bazuar konstatimet e nxjerra prej tij Presidenti Meta arsyeton ndër të tjera se të arsyetuar si qëllimi i këtij ligji është i paqartë, subjektiv dhe nxjerrja e kësaj norme të re ligjore është e pajustifikuar objektivisht. Krijimi i një subjekti tregtar nëpërmjet një ligji të veçantë krijon premisa për cenim të “parimit të barazisë përpara ligjit”, “lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe nismës së lirë” parime këto që gëzojnë mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta në nenet 11 dhe 18.
Ndër të tjera në dekretin e Presidentit thuhet se ky ligj bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese; aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, cenon parimin e sigurisë juridike dhe të drejtën themelore të pronës, si dhe fryma e këtij ligji është në kundërshtim me sistemin ligjor aktual mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare.
Në sqarimin e këtij dekreti, presidenca jep edhe këshilla ku thuhet se Këshilli i Ministrave nëse kishte për qëllim të vetëm krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare si subjekt tregtar, nuk kishte arsye të nxirrte një ligj të veçantë por nëpërmjet dispozitave të kuadrit ligjor ekzistues mund të themelonte këtë subjekt të ri dhe ta regjistronte atë si të gjitha subjektet e tjera pranë regjistrit të subjekteve tregtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Projektligji “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë në datë 26.03.2019.
Objekti i veprimtarisë së Korporatës është përmirësimi i menaxhimit të pronës publike, krijimi i pronave të reja, vënia në përdorim me efiçencë të pronave, përgatitja dhe zbatimi i projekteve të investimit dhe mobilizimi i kapitalit shtetëror ose privat, me qëllim kryerjen e investimeve në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.
Sipas Këshillit të Ministrave ky projektligji parashikon krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare, e cila vjen si një koncept inovator për të adresuar nevojën e zhvillimit dhe krijimit të kapaciteteve për lehtësimin dhe realizimin e investimeve komplekse me impakt social-ekonomik. /e.s/