Zbulohet baza e falsifikimit të dokumenteve, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Laboratori” dhe ka ndaluar tre persona, si pjese e grupit qe merrej me kete aktivitet kriminal.
“Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve: Th. T., 61 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve; V. S., 63 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, i dënuar dy herë më parë për falsifikim dokumentesh dhe P. B., 65 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë”, njofton policia.
Ky operacion është finalizuar pas një pune intensive 6-mujore, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, veprimtari që ushtrohej nga një grup kriminal.
Gjatë operacionit, Policia shkatërroi bazën ku kryheshin falsifikimet dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: Një laborator i cili shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, një automjet tip Opel Corsa, një kompjuter, 7 stampa, vula, morseta të institucioneve të huaja të ndryshme, një printer skaner që shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, një pajisje speciale për plastifikimin dhe prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; një llambë speciale me rreze ultravioletë, hekur special për plastifikim.
Gjithashtu u sekuestruan 4 pajisje speciale për hapjen dhe ndërhyrjen në dokumentet origjinale, 12 karta greke të falsifikuara, 6 leje drejtimi italiane, 1 leje qëndrimi italiane, 12 karta identiteti italiane, 3 karta shëndeti italiane, 1 leje drejtimi angleze, 3 fletë hyrje për institucione të ndryshme, 1057 karta të paplotësuara me çip dhe elementë sigurie për patentë dhe dokumente të ndryshme të paplotësuara. Nuk mungon as, dëftesa shkollore, dokumente institucionesh, fotografi, vulë e thatë e një zyre noteriale dhe 1250 euro.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve, vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
g.kosovari