Prej më shumë se dy ditësh në media kanë qarkulluar deklarata të ndryshme, mbi dokumentet që u gjetën në makinën e prokurorit Ndoja, pas atentatit.
Këtë të enjte, në emisionin Opinion, gazetari Spartak Koka ka thënë:
“Konfirmohet zyrtarisht se në automjetin, atë që diskutuam edhe para dy netësh..janë gjetur në makinën e prokurorit Ndoja fotokopje e plotë e dosjes hetimore të prokurorit Afrim Shehu, aktet ekspertimit të cilat u vodhën vitin e kaluar në maj dhe për të cilën u arrestuan më 25 tetor të këtij viti 18 persona të akuzuar për veprën penale të mashtrimit…është konfirmuar zyrtarisht. Dosja hetimore e prokurorit Afrim Shehu është e plotë sot në prokurorinë e Durrësit..fotokopja mund të merret edhe nga një avokat i një prej personave të arrestuar më 25 tetor të këtij viti…janë 18 persona të arrestuar që akuzohen për tjetërsimit 68 mijë metra katrorë tokë në Kepin e Rodonit. Konfirmohet po ashtu edhe pjesa tjetër që ka dokumente të tjera të cilat lidhen me ekstrakte pronash..nga pronat e familjares së gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi, harta, akt ekspertimet dhe dokumente trashëgimie”, shkruan opinion.al.
Ditën e atentatit, Andi Maloku ishte në drejtimin e automjetit Mercedes-Benz, së bashku me prokurorin e Durrësit Arjan Ndoja dhe Pëllumbi Muharremin, ky i fundit i njohur me pseudonimin “Rumi” dhe që ka në përdorim 4 identitete.
Pasi atentatorët hapën zjarr në drejtim të makinës së tyre, Andi Maloku nxori nga rruga automjetin tek mbikalimi i Shkozetit. Prokurori Arjan Ndoja dhe Pëllumb Muharremi u transportuan në Spitalin e Durrësit, pasi gjendja e tyre nuk ishte e rëndë. Ndërsa shoferi Andi Maloku u dërgua menjëherë drejt kryeqytetit. Gjashtë ditë pas atentatit, 24-vjeçari ka ndërruar jetë.
I arrestuari i vetëm për këtë ngjarje është Redjan Rraja 34 vjeç. Me vdekjen e Andi Malokut, shtohet edhe një tjetër akuzë, ajo e vrasjes në rrethana cilësuese e kryer në bashkëpunim. Akuzat e tjera të regjistruara për hetimin e atentatit janë vrasja e funksionarëve publikë, vrasja kundër dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtja pa leje.
/a.r