Ish-prokurori Besnik Muçi, i dekretuar si anëtar të Gjykatës Kushtetuese ka dalë sot sërish para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit duke ofruar prova të tjera për figurën e tij. Ish-prokurori Muçi kaloi me sukses shkallën e parë të vettingut, por vendimi u ankimaa nga Komisioneri Publik.
Sot Komisioneri Publik paraqiti parashtrimet në lidhje me provat e reja të paraqitura nga Muçi në seancën e mëparshme. Komisioneri Publik tha se provat e reja nuk sjellin ndonjë rezultat të ndryshëm nga ai i mëparshëm. Muçi kërkoi të dorëzonte parashtrimet dhe në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze.
“Kërkoj të administrohet si provë bilanci i kompanisë turke që është një nga huadhënësit. Aktet e dërguara nga Turqia, për bilancin financiar pozitiv të kompanive të një prej huadhënësve të mi në Turqi ende nuk ka mbërritur. Kam konfirmuar që është nisur nga posta turke, por nuk ka mbërritur në atë shqiptare. Nëse me jepni kohën e nevojshme, deri në mbërritjen e tyre. Kam konstatuar se qëndrimi i KPK, lidhur me shpenzimet për jetesë të subjekteve, ka qenë duke iu referuar INSTAT-it”, deklaroi Muçi.
Sipas tij, Komisioneri publik pretendon një diferencë financiare prej 600 mijë lekësh të ndarë në 3 vite.
“ILDKP dhe INSTAT kanë përdorur shifra mesatare të ndryshme për shpenzimet e një familjeje me 4 persona. Shpenzimet për jetesë nuk mund të jenë fikse gjatë 9 viteve. Krijohet një raport i pafavorshëm të ardhura-shpenzime. Shpenzimet për jetesë të vlerësuara nga 2003-2006, ILDKP ka përdorur mesataren kombëtare”, u shpreh Muçi.
Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra të ish-prokurorit të Krimeve të Rënda me argumentet se ka probleme me pasurinë dhe figurën morale.
Sipas raportit të DSIK, Muçi ka kontakte të papërshtatshme me një biznesmen, i cili rezulton me probleme ligjore. Sipas mediave informative, bëhet fjalë për biznesmenin Armand Lilo, pronar i një kompanie ndërtimi, i cili sipas DSIK rezulton me probleme ligjore.
Sipas raportit të DSIK, gjyqtari Besnik Muçi i detyrohet biznesmenit Lilo shumën prej 21 mijë euro, pasi te ai ka blerë një banesë.