Nga Ylli Pata
Opinioni publik shqiptar po përjeton këto ditë një gjuhë të helmuar në lidhje me Luftën e Dytë Botërore. Një publicist i njohur në mesin e viteve ‘90 e cilësonte si “Përleshja e Tendës së Qypit”.
Vendosja nga Bashkia e Tiranës e fotografive të disa luftëtarëve të njohur partizanë ka sjellë një reagim të ashpër nga disa publicistë e intelektualë, që e konsiderojnë këtë veprim si provokacion, ndërsa nga ana tjetër, të tjerë cilësojnë të tillë pikërisht reagimin e të parëve.
Ka mbi tre ditë që mediat shqiptare janë mbushur me një gjuhë përplasjeje civile, që vetëm ndan dhe largon shoqërinë shqiptare të traumatizuar nga tranzicioni dhe polarizimi pa mbarim.
Brezat e rinj që kanë lindur pas vitit 1997 e në vijim nuk janë fare të interesuar për përplasjen politike që sot po yshtet nga palë, që në fakt janë segmente politike që kërkojnë të krijojnë rezonancë nga emocionet e atyre shtresave që kanë ndjeshmëri mbi atë çka ndodhi 75 vjet më parë, pra kur me çlirimin e Shqipërisë nga italianët dhe gjermanët u instalua diktatura komuniste.
Në vitin 1992, Partia Demokratike që erdhi në pushtet si forca e parë antikomuniste dhe u votua masivisht nga shtresa që u persekutua nga regjimi, deklamoi pajtimin kombëtar, duke sjellë si filozofi gjithëpërfshirjen apo aksiomën: “bashkëvuajtës e bashkëfajtorë”.
Një aksiomë që nuk u zbatua normalisht dhe si PD, ashtu edhe PS, u strukën në skutat e historisë së Luftës së Dytë Botërore për të prekur emocionet e shtresave përkatëse, trashëgimtarët e partizanëve dhe atyre që nuk ishin me partizanët.
Mirëpo është vërtetuar katërcipërisht se kjo strategji përveçse ushqen emocionet negative, nuk sjell rezultat konkret në terren, pasi shqiptarët, publiku, njerëzit vetë, dijnë të ndajnë shapin nga sheqeri e të bëjnë vetë dallimin.
Mjafton në marrim një shembull të freskët historik; Shkodrën e vitit 1996, kur për herë të parë ballistët, legalistët, por edhe trashëgimtarët e Partisë Komuniste, bashkuan votat në tetorin e atij viti për të zgjedhur kryebashkiak Bahri Boriçin, përfaqësuesin politik të së Djathtës së Bashkueme Shkodrane.
Edhe Boriçi, një arsimtar i qetë dhe qytetar shembullor, arriti që të tregohet në nivelin e përfaqësimin, duke mos dalë kurrë kundër qytetarëve që votuan për të, pa marrë poza apo dalë në foto në skuta historie.
Lufta e Dytë Botërore, siç edhe ajo e Para, ishte mjaft traumatike për Shqipërinë. Solli si pasojë shumë viktima, të vrarë, dëme materiale, por gjithashtu solli një sistem diktatorial që ndau shqiptarët.
Historitë e dhimshme të periudhës nga 1939-1944 nuk kanë pse të jenë material për gjakmarrje verbale apo shpallje lufte mes palësh. Mirë do të ishte që historianët të sillnin sa më shumë ftohtë për brezat e sotëm ngjarjet reale, së bashku me shkaqet, kushtet por edhe pasojat pa emocione. Le t’i gjykojnë njerëzit se kush ishte i bardhë e kush ishte i zi.
Në fakt historia nuk ka qenë kurrë lineare: të gjykosh kush ishte luftëtar e kush kriminel, kush intelektual e kush tradhtar, do të duhet së pari të mos përfitosh nga analiza apo gjykimi i asaj periudhe, ndryshe risjell luftën civile.
Shembullin më sinjifikativ e ka dhënë pikërisht një intelektual i klasit të parë, Dr. Sejfi Protopapa, i cili trokiti në shtëpinë e Dritëro Agollit pas vitit 1990, duke i thënë në sy se kishte vuajtur nga skalitja metaforike e personazhit të Sali Protopapës tek “Komisari Memo”, apo filmi “I teti në Bronx”.
Ajo përballje e sjellë në media nga dëshmitarë të njohur në publik solli një mesazh të rëndësishëm: Nëse në Luftën e Dytë shqiptarët janë përleshur me njëri-tjetrin, ata nuk duhet ta bëjnë kurrë më.
Poeti Agron Tufa, prej kohësh po demonstron zell për të sulmuar emrat e Nacional-Çlirimtares dhe mbrojtur kundërshtarët e tyre. Ta bëjë me fakte, me vargje me prozë, duke ju sjellë publikut letërsi dokumentare apo artistike, dhe jo pamflete politike.
Kush merret me politikë apo dëshiron të merret me politikë duke shfrytëzuar historinë duhet ta dijë se mund të emocionojë disa, por nga dita në ditë ata janë shumë pak…
Historia ka shumë gjëra për të qartësuar, madje edhe fakte kur shqiptarët kanë strehuar në shtëpitë e tyre nga veriu në jug, edhe partizanë, edhe ballistë, madje edhe njëkohësisht, siç i madhi Anagnosti e ka përjetësuar tek “Malet me Blerim Mbuluar”.
Është i politizuar? Dikush mund të bëjë variantin alternativ, që të mbesë si dëshmi për brezat, nuk ka përse hidhet kaq shumë helm.
TemA