Nga Shpëtim Nazarko
“Është ekonomia, gomerë të dashur”- në fakt, fraza është një gjysmë- perifrazim i një shprehjeje të famshme, me të cilën Klintoni, thonë, fitoi dikur, zgjedhjet në Amerikë.
Faktikisht, ishte dhe është edhe këtu, ekonomia, problem kryesor i yni. Por, siç ndodh rëndom në Shqipëri, jo vetëm në vitin e fundit, por për 30 vite me radhë, ne gjykojmë vetëm për politikën dhe nuk shikojmë asnjë shkrim për ekonominë ose shumë pak, për të.
Por, ka dhe arsye objektive pse e bëjmë këtë e veçanërisht tani, thonë disa…
Vitin e fundit, pamë një krizë politike, që për disa prej analistëve, meqë nuk po zhvillohen më protesta e lidhin mungesën e tyre, me premtimin për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Një pjesë që e shikojnë më seriozisht punën, mendojnë që gjithë problemi reduktohet tek arritja e Reformës Zgjedhore. Një vështrim, ndoshta, pak më ndryshe nga ai që shihet në shumicën e komenteve, mund të të shpjerë vërtet dhe tek ideja se kushtet e Bundestangut, në një farë mënyre, janë përcaktuar nga të dy liderët e politikës, me marrëveshje “mbi apo nën tavolinë”. E që duket se do të na çojnë vërtet, në zgjedhje të parakohshme.
Po vetëm një pjesë apo fare pak, i besojnë seriozisht, kësaj teze.
Ja ku po futem edhe vetë në grackën e politikës. Kam një opinion ndryshe, që e quan zhurmë të kotë atë që flitet për krizën politike, apo Reformën Zgjedhore. Kriza që përsëritet dhe që gjithnjë, sjell tek ne, të huaj si specialistë, vjen nga mënyra sesi zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri e që duken tipike komuniste, të paktën në mënyrën e numërimit të votave. Do të mjaftonin, për shembull, ca studentë apo njerëz rruge që të zëvendësonin militantët e partive të shumta, për të evituar sherret brenda disa sekondash dhe për të numëruar votat normalisht, si çdo vend i qytetëruar.
Por, për t’iu kthyer titullit të shktrimit:
Arsyeja reale që e mban në hullira komuniste shtetin, është mënyra e formulimit të buxhetit të tij, që është tipik komunist dhe i viteve para 90-ës, i huazuar nga sovjetikët, që e prunë me Troickin, që në vitet ‘47.
Po çfarë të bëjmë me politikën, që ka zënë të gjitha faqet e para të medies dhe këtë e bën përditë, për tridhjetë vjet me radhë?
Plaku Andreotti, senatori i famshëm i Italisë dhe një nga gjenitë e shekullit të kaluar në politikë, më thoshte dikur, për klasën politike:
“Është shumë e vështirë, ta gjykosh çështjen… Sepse, në qoftë se një bankë, një parlament, mund ta formosh brenda 24 orëve, një klasë politike do kohë që ta krijosh, që do të thotë, do kohë edhe ta përzesh.
Por, le t’i kthehemi ekonomisë…
Në ditët e fundit, në shtyp vëren që bashkitë kanë akumuluar një borxh prej 70 miliardë lekësh. Ndërkohë që një borxh tjetër, është ai prej 880 milionë euro, që i kanë faktikisht biznesmenët e mëdhenj, pasi s’mund ta kenë të varfrit, të cilët u drejtohen në shumicën e rasteve, vetëm kredive konsumatore…
Një problem tjetër është ai që lidhet me arsimin profesional. Por, në thelb, tërësisht i lidhur me ekonominë.
Zvicra, që është një vend i krahasueshëm me ne, nga pikëpamja e popullsisë dhe relievit, ka fuqinë më të kualifikuar të punës në botë – arsyeja është e thjeshtë: sepse ajo i vendos nxënësit që në vitin e tretë të gjimnazit, në degët që duan të zgjedhin, duke e kthyer vështrimin e tyre, drejt arsimit profesional.
E kam përmendur edhe në një tjetër shkrim, që në Korçë, ka një universitet të profilit bujqësor, por pothuajse janë zhdukur degët e pyjeve, ndërkohë që 59 degë të tjera, duket se po shkojnë drejt mbylljes. Mund të shkojnë edhe shumë të tjera… Megjithatë, nuk është kjo drama.
Drama është se po zhduken profile të atij lloji që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me ekonominë kombëtare, ku veçanërisht, shquhen ato të lidhura me bujqësinë dhe blegtorinë.
Ndërkohë, situatës së borxhit, siç thashë më parë, tani do t’i shtojmë edhe ato që tanimë janë bërë një histori tragji-komike në Strasburg. Një informacion që në pamje të parë, ngjan me një teori konspirative, thoshte se formula e zbatuar nga qeveritë shqiptare, për larjen e borxhit të krijuar nga moszgjidhja e problemit të pronave, mund ta çojë shifrën që duhet paguar, deri në rreth 3 miliardë euro.
Kjo, për shkak edhe të sasisë kolosale të dosjeve që Shqipëria, ka në lidhje me çështjen e pazgjidhur të pronave (mbi 60 mijë) – çka mund t’i vërë të gjitha qeveritë pasardhëse në një presion të tmershëm, nga ku nuk dilet dot.
Duke iu kthyer problemit e duke qëndruar në temë “Është ekonomia, gomerë të dashur”, duhet të heqim dorë, sa më shpejt të jetë e mundur, nga historia që i jemi përveshur: politikës, që nuk çon asgjëkundi, aq më tepër, kur dimë se personazhet që lëvizin në politikë vijnë nga një embrion, vijnë vërdallë rrotull të njëjtit kryetar, roli i të cilit, tani shtohet edhe nga fakti që thonë disa, se është prej listave të mbyllura.
Për vete, jam partizan i idesë se, çdo sistem është i pranueshëm dhe nuk qëndron fatkeqësia tek listat e mbyllura ose të hapura. Madje, në momente të caktuara historike, roli i individit bëhet më i fortë sesa nga një demokraci më e gjerë, bazuar në lista të hapura, etj.
Vetë Perëndimi, po sheh me shqetësim se, për një kohë të shkurtër, vendet me një “gjysmëdiktaturë”, apo që kanë një drejtim autokrat të shtetit, po shikojnë suksese më të mëdha sesa ajo që në i quajmë “demokraci masash”. Kjo, ndoshta edhe për shkak të indiferencës që tregon populli i gjerë, për të marrë pjesë në zgjedhje, e lë fatin e tij të mbetet në duart e militantëve dhe të partive, pastaj uzurpojnë vendin.
Në përfundim, besoj që duhet t’i kthehemi me urgjencën më të madhe, problemeve që shkatërrojnë të nesërmen e këtij vendi dhe që nuk janë ato që lidhen me periudhën mars-prill-maj të vitit që vjen, apo kur flitet për zgjedhje të parakohshme.
Sepse, në thelb është ekonomia së pari, pastaj të tjerat.
Në rast se, ne do të përpiqemi vazhdimisht, duke mbushur historitë tona me historinë e zgjedhjeve politike, me ndërrime gomerësh, mua do më kujtonin barsaletën e famshme, të përkthyer ndryshe se “nuk ndërrohen mobiliet, por të zonjat e shtëpisë”…
Është ekonomia dhe jo politika, që po e hamë çdo ditë, por që nuk prodhon asgjë, veçse kënaq turmat e militantëve në kafenetë, apo pijetoret e vendit…
(Konica.al)