Një ditë pas atentatit me armë zjarri teksa ecte me makinë drejt Tiranës, ‘News24’ dhe “BalkanWeb” zbardh dëshminë e prokurorit Arjan Ndoj, i cili mbeti i plagosur bashkë me shoferin dhe mikun e tij.
“Kam qenë duke drekuar në një restorant. Erdhi Muharremi e një tjetër dhe janë ulur në restorant. Më pas u nisëm drejt Tiranës”, ka deklaruar Ndoj për grupin hetimor të çështjes.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi në një lidhje direkte nga vendi i ngjarjes se prokurori kishte shkuar i vetëm në lokal dhe më pas ai e kishte ftuar në tavolinë për të drekuar së bashku. Pasi kanë ngrënë drekën, ata janë nisur drejt Tiranës, ndërsa mjeti i tij ishte me xhama të zinj pas. Gazetarja Lala pohoi se prokurori ka refuzuar kategorikisht që të lidhë atentatin për shkak të detyrës së tij. Para grupit hetimor Ndoj mësohet të ketë mohuar faktin se ka qenë shënjestër e sulmit.
“Nëse do të më adresoheshin mua, nuk kishin arsye të më vrisnin në autostradë. Mua mund të më vrisnin në derë të shtëpisë, në prokurori. Nuk ka arsyeje që të më sulmonin në autostradë”, ka pohuar prokurori.