Rasti i familjes Mani, publikuar nga Fundjavë Ndryshe, ka prekur zemrat e shumë shqiptarëve. Pas një kohe rekord, prej më pak se 48 orësh nga publikimi i apelit, Fundjavë Ndryshe ka arritur të strehojë familjen nga Çekreza.
Familja Mani përbëhet nga 5 anëtarë: Vjollca dhe Idrizi bashkë me 3 fëmijët e tyre. Dy muaj më parë, ata u larguan nga fshati Zapod, në Kukës, pasi atje jetonin në kushte skandaloze dhe u shpërngulën në fshatin Çekrezë në Tiranë, për një jetë më të mirë.
Por nuk dukej të ishte ky fati i tyre, pasi ata u shpërngulën në një kasolle të shkatërruar në majë të një kodre, pa elektricitet dhe krejt të vetëm, pa asnjë të ardhur. Por kjo tashmë ka ndryshuar falë Fundjavë Ndryshe, e cila bashkë me dy të rinjtë që iu bashkuan thirrjes, Algertin dhe Izmirin, i kanë akomoduar ata në një apartament me kushte shumë të mira.
“Faleminderit shumë që na bëtë neve të lumtur. Zoti ju rujt e ju ndihmoftë gjithë jetën”, shprehet nëna e 3 fëmijëve.
Në apelin e bërë nga Fundjavë Ndryshe, e zonja e shtëpisë tregonte për vuajtjet e kaluara nga bashkëshorti i saj, i cili shkonte përditë më këmbë deri në Tiranë, për të kërkuar një punë, por pa asnjë rezultat. Por tashmë falë Fundjavë Ndryshe, kryefamiljarit Idrizi do i sigurohet edhe një vend pune. Një donator i Fundjavë Ndryshe është shprehur i gatshëm që Idrizin ta marrë dhe ta punësojë pranë biznesit të tij.