Presidenti i ri i Parlamentit Evropian, David Sassoli do të vizitojë Shqipërinë në datën 2 dhe 3 dhjetor.
Përpara vizitës në Shqipëri, Sassoli do të vizitojë Shkupin në 4 nëntor. Këto dy vizita janë të parat pas marrjes së detyrës së re.
Përpara vizitës në Shkup, Presidenti Sassoli deklaroi se PE mbështet popullin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, duke iu kërkuar që mos dorëzohen, edhe pas vendimit të Këshillit për të mos hapur negociatat.
“Vizita në Maqedoninë e Veriut dhe shumë shpejt në Shqipërië, është më e rëndësishmja për mua personalisht në këtë kohë. Ne e dimë se populli në të dy vendet është zhgënjyer shumë nga dështimi i Këshillit për të rënë dakord për hapjen e bisedimeve të pranimit për shkak të vetos së disa shteteve anëtare. Ne e kuptojmë dhe e ndajmë këtë zhgënjim. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar reformat që ne kërkuam prej tyre dhe tani meritojnë të shpërblehen për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme. Për më tepër, unë dua t’u bëj thirrje qytetarëve dhe veçanërisht brezit të ri: Mos u dorëzoni nga shpresa, ju lutemi qëndroni në rrugën evropiane. Parlamenti Evropian është me ju”
Sassoli thotë se PE mbështet dy vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa thotë se do të nxisin shtetet e BE të marrin një vendim unanimisht në favor të bisedimeve të pranimit në takimin e ardhshëm.
“Me një shumicë të madhe votash, Parlamenti Evropian ka ritheksuar mbështetjen e tij të plotë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë një javë më parë. Ne nuk do të heshtim por i nxisim shtetet e BE të marrin një vendim unanimisht në favor të bisedimeve të pranimit në takimin e ardhshëm. Ne i inkurajojmë të dy vendet të vazhdojnë në rrugët e tyre të reformës. Reformat e kryera në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE janë në interesin më të mirë të vendeve dhe qytetarëve të tyre, dhe do të jenë përfitimi i parë dhe kryesor i brezit të ri që meriton një të ardhme më të mirë”, deklaroi Sassoli.
g.kosovari