Dje dritare.net botoi lajmin e zhvendosjes së kryetarit të Partisë Demokratike nga apartamenti ku jetonte me familjen, deri një javë më parë, në një kompleks vilash të quajtur “Long Hill”, në periferi të Tiranës.
Dritare.net tregoi fotot e kompleksit dhe makinës së kryetarit të PD-së, duke hyrë dje, në Long Hill.
Partia Demokratike reagoi pas lajmit të botuar në dritare.net, duke e quajtur një dezinformim të qëllimshëm lidhur me banesën e kryetarit të PD-së Lulzim Basha.
“Pas disa dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, banesa e zotit Basha do të duhet t’i nënshtrohet disa punimeve të domosdoshme. Për këtë arsye zoti Basha dhe familja e tij janë zhvendosur përkohësisht në një banese me qira, që nuk ka asnjë lidhje me fotot e rreme të shpërndara nga disa portale të kontrolluara nga qeveria. Banesa me qira e familjes se zotit Basha jo vetëm nuk ka pishinë, por është më e vogël sesa banesa e tij në rindërtim.”, shkruan mes të tjerash, Zyra e Shtypit e PD-së.
Megjithatë pas botimit të plotë të lajmit nga PD-ja në dritare.net, ne ju drejtuam Zyrës së Shtypit të Bashkisë së Tiranës, për të pyetur mbi llojin e dëmit që ka shkaktuar tërmeti i fundit në pallatin e zotit Basha, afër stadiumit “Qemal Stafa”.
Zyra e Shtypit të Bashkisë, Tiranë dha këtë reagim për dritare.net: “Teksa dihet publikisht që z.Basha ka ndërtuar pa leje kate shtesë në pallatin e tij, pranë Stadiumit Kombëtar në NJA nr. 2, as ditën e tërmetit e as sot nuk është deklaruar asnjë dëm. Për më tepër, administratori i Nj. 2 as nuk ka marrë aplikim për punime meremetimesh nga tërmeti e kësisoj, as nuk ka dhënë një leje të panevojshme e të pakërkuar nga familja Basha.”,-mbyllet sqarimi i zyrës së shtypit të bashkisë së kryeqytetit./dritare.net