Në Kili vijojnë protestat masive kundër Presidentit Sebastian Pinera. Mediat ndërkombëtarë theksojnë se në rrugët e kryeqytetit Santiago dhe sheshet e qyteteve të tjera të vendit kanë dalë mbi 1 milion protestues duke mos u tërhequr nga kërkesa për largimin e kreut të shtetit.
Presidenti kilian Sebastian Pinera u ka kërkuar të gjithë ministrave të tij të japin dorëheqjen në mënyrë që ai të riorganizojë kabinetin e tij, ndërsa hoqi edhe gjendjen e jashtëzakonshme, por as kjo nuk i qetësoi protestuesit që nuk heqin dorë nga kërkesa për largimin e tij.
Protestat nisën si revoltë nga rritja e çmimit të biletës së metrosë, për t’u shndërruar më pas në një demonstrim masiv të pakënaqësisë për pabarazinë. Presidenti ndërhyri me shpejtësi duke anuluar rritjen e tarifës së metrosë dhe rritur pagën minimale e pensionet, por zemërata e popullit nuk u ul dhe protestat vijojnë.
Deri më tani të paktën 18 njerëz janë vrarë, qindra të plagosur, si dhe janë shkaktuar dëme në vlerë prej miliona dollarësh.
Demonstruesit duke tundur flamuj kombëtar dhe duke i fryrë bilbilave dhe duke mbajtur pankarta që kërkojnë ndryshimin politik dhe shoqëror kanë lëvizur nëpër rrugë, duke ecur me milje nga rrugët e Santiago për tu mbledhur në Plaza Italia.
Skenat u përsëritën në qytetet e të gjithë vendin.
g.kosovari