Nga Shpëtim Nazarko
Duke parë debatin në një nga televizionet kryesore shqiptare, ku ishte ftuar Kryeministri aktual, m’u kujtua një shaka e hollë që bënte Berisha, dikur. Kur kishte të bënte me analistë e duhet të trajtonte problemet e ekonomisë, thërriste apo porosiste në studio, ata të cilët kishin në punën e tyre bazë, çështjet e historisë dhe kur fliste për ushtrinë, ai merrte ata që flisnin për letërsinë. E kështu, Berisha i fitonte thjesht të gjitha debatet, duke korrur fitoren e radhës… Kur ia vura njëherë në dukje këtë gjë, zuri të qeshte me të madhe.
Nuk e di, nëse Rama përdor të njëjtën skemë si Berisha, por dje mbrëma, kishte marrë një grup analistësh nga më të njohurit në Shqipëri, por që kanë pak, apo aspak lidhje me ekonominë ose për të mos u treguar cinik, por duke përshkruar një realitet që shihet thjesht, shkruajnë shumë pak, për problemet e ekonomisë.
Nisur nga ky sens gjykimi, po të shtojmë këtu edhe aftësitë e tij oratorike dhe një farë vetëbesimi, që i ka ardhur prej të qenit 6 vjet në pushtet, mund të themi që Rama e fitoi lehtësisht debatin. Po prapa kësaj tabloje, në dukje gazmore dhe që mund të shijohet me ndonjë tavernë a klub fshati nga militantët e dy palëve, për mua, mbrëmë kemi parë një nga shakatë me zarar, në këto kohëra kur ekonomia nuk është se po shkëlqen…
Problemi themelor i ditëve që kaluam, ka qenë i lidhur me çështjen e asociimit të Shqipërisë në BE dhe në këtë rast, duket se ato që u folën lart në formë kritike, mund të justifikohen nga palët, apo moderatori i shfaqjes. Por ndërkaq, ishte dëshpërim i madh edhe nëse bie dakord me këtë gjykim, të shikoje kur analistët po përpiqeshin ta mbërthenin Ramën, me argumente që lidheshin deri dhe me mënyrën e veshjes së tij, në duhesh të vishesh me poture, apo pa të tilla, kur ai vizitonte dynjanë. Debati mbi veshjen e tij, më kujton një nga shakatë e holla të një regjisori të njohur, që kish vënë si dekor në skenë një rrotë makine. Kjo, që të tjerët të merreshin me rrotën dhe jo me problemet reale të shfaqjes… Natyrisht edhe Rama e di këtë punën e rrotës, megjithëse nuk e di dhe nuk kam pse ta di, arsyen e veshjes së tij. Më mjafton arsyetimi i hollë i Konicës, që tallej dikur, deri në përbuzje, me ata që quante “levantinë” kur ata përbuznin veshjet kombëtare…
Po le të kthehemi tek analiza e debatit të mbrëmshëm…
E kam shprehur më parë dhe vazhdoj t’i mbetem bindjes, se problem i futjes së Shqipërisë në BE ose më mirë të themi, asociimit të saj, është një problem i shkurtër kohor, ndërsa procesi i futjes reale në të, do të jetë shumë i gjatë.
Makroni nuk ka fuqi ta mbajë Ballkanin, as me para dhe as me një politikë të jashtme që karakterizon fuqitë e mëdha, për shembull, të tipit Gjermani. Është e kuptueshme se, ai do të kërkonte që të luante rolin e udhëheqësit a liderit, tani që Anglia ka dalë jashtë skene me Brexit-in e saj dhe forca e Merkel po dobësohet, edhe ajo vetë, po zhduket gjithnjë e më teper në horizont. Por, kjo siç thashë, nuk është pavarësisht përpjekjeve të Makronit, vonim për një kohë të gjatë i procesit të asociimit.
Por, është vërtet ky, problem themelor i Shqipërisë, apo BE-së?
Unë do të thoja, jo me shumë me shaka, se ky nuk është problem i BE-së, por është problem i “be-be-së”. “Be-be-ja”, lidhet me bleqërimën e qingjave të vegjël ose deleve, që në të vërtetë simbolizojnë këtu, një nga problemet themelore që lidhet me ekonominë. Apo ndryshe: me pronën, reformën territoriale dhe me arsimin profesional.
Dhe Rama, sot apo nesër, kur të shkojë në punë të tij dhe do të presë gjykimin e historisë për rolin që luajti, do të vlerësohet nga këta faktorë dhe aspak për veshjet e tij. Faktorë që, siç e kam shkruar shpesh kohët e fundit, sapo t’i shohë burokrati europian, që do të nisë procesin në Shqipëri, do të tmerrohet. Do të tmerrohet nga një sipërfaqe toke e rripëzuar pa fund, nga mungesa e një reforme të plotë agrare, reformë ka 70 vjet që nuk bëhet, nga një sistem arsimi profesional, që nuk është në gjendje të bëjë asgjë.
Më thanë diku, se ne edhe në procesin e TAP-it, i morëm saldatorët nga jashtë… Ja ku kemi arritur. Ndonjëherë, kjo më kujton qeverisjen e pështirë të kohës së Nanos, që thoshte dhe jo me shaka, se tani në kohën e tregut të lirë edhe barin mund ta blejmë nga jashtë… Pra, problemet reale kanë të bëjnë, jo me çitjanet a poturet që vesh Rama, kur viziton Europën. Ato janë dhe mbeten një sërë problemesh, të tipit të tillë që BE-në, apo ndryshe, problemin e asocimit në BE, duhet të na bëjnë a ta konsiderojnë si një problem të karakterit praktik dhe asgjë më shumë.
Duke iu rikthyer titullit të shkrimit, që mori shkas nga debati i Ramës me analistët e njohur të Shqipërisë.
Thelbi është pra, jo te BE-ja, por te “be-beja”, që do të thotë një futje e thellë në problemin e ekonomisë, në problemin e bujqësisë dhe sidomos të blegtorisë. Kjo e fundit, duket si domosdoshmëri urgjente, apo si lëvizje e tipit praktik dhe ndoshta e para në radhë, sepse duke folur për tokën, e dimë që është e rripëzuar e nuk kemi bërë ende reformën agrare. Pra, nuk na lejon të bëjmë investime, apo të ftojmë investues të huaj apo vendas.
Unë mora një shembull, për një shkrim – Poloninë, që megjithëse ka ferma të rendit 20-30 ha, BE-ja e kritikon, se duhen zgjeruar akoma më shumë sepse në këtë madhësi nuk janë rentable. Kështu, problemi i blegtorisë, ku kam marrë njëherë shembull Kukësin, bëhet themelor në momentin, kur ti nuk ke tokë dhe njëkohësisht, je i detyruar të reflektosh traditën e të parëve…
E kam përmëndur shpesh në shkrime, se para Luftës së Dytë Botërore, ne zinim vendin e parë në Europë, duke renditur këtu, sipas Instituteve italiane përpara Gjermanisë, Francës, Anglia, Zvicës etj., për numrin e deleve dhe lopëve për 1 000 banorë. Pra, jemi dhe brenda një traditë natyrale ose një resurs që kërkon ta modernizojmë.
Vendet që përmenda më sipër e që ishin prapa nesh, megjithëse tani janë shumë herë më të industrializuara, tashmë edhe në këtë sektor janë me qindra herë sipër nesh. Nuk e harruan traditën, por e modernizuan atë.
Duke iu rikthyer edhe njëherë problemit, mund të themi se analiza e mbrëmshme në një nga televizionet kombëtare, ishte një vazhdë e një historie që ka nisur prej kohësh, kur ekspertë të letërsisë diskutojnë për ekonominë ose e anasjellta. E gjitha kjo, të bën sa të qeshësh edhe të qash.
Duke e mbyllur, mund të them se në momentet që është Shqipëria, kur po shikoja një nga të dhënat e fundit, ku thuhej se borxhet e biznesit të madh që realisht do të duhej të udhëhiqte vendin, janë në rendin e 1 miliardëve, kur bashkitë kanë akumuluar një borxh 70 miliardësh në lekë etj. Etj., besoj, shakaja e mbrëmshme në televizor, e Ramës me analistët, pavarësisht temës së zgjedhur, nuk nderon asnjeri.
Konica.al