“Të gjithë projektet e mira që kanë një konsensus publik nga shumica e heshtur do shkojnë deri në fund”.
Ky është premtimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj teksa siguroi qytetarët se Bashkia e Tiranës është duke punuar në shumë projekte të rëndësishme. Duke folur në Forumin 17+1 që po mbahet këto ditë në kryeqytet, Veliaj theksoi se detyrë e një kryebashkiaku është të mendojë edhe për gjeneratën e ardhshme dhe siguroi se Tirana është një qytet që po kujdeset edhe për këtë.
“Ne në Tiranë kemi punuar shumë edhe me disa prej projekteve të tjera. Një nga projektet që prapë po debatohet tani nga një minorancë e zhurmshme është Teatri i Ri Kombëtar por unë them që në finale të gjithë projektet e mira që kanë një konsensus publik nga shumica e heshtur janë projekte që do vazhdojnë do shkojnë deri në fund dhe sot u gëzova jashtë mase kur dëgjova që gjithë kryetarët e bashkive të Ballkanit po përfshihen në projekte të tilla strategjike”, theksoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë solli në vëmendje edhe për betejën e një minorance të zhurmshme për të bllokuar ndërtimin e këndeve të lojërave në kryeqytet që sot janë një sukses dhe një realitet i prekshëm nga të gjithë.
“Kur filluam të ndërtonim këndin e parë të lodrave e pamë se ccfarë vandalizmi dhe ccfarë protestash absurd patëm në tiranë. Pse? Unë besoj se në thelb njerëzit protestojnë ndryshimin dhe jo detyrimisht projektin specifik. Aftësia për dikë që drejton duhet të jetë një analizë që të dallojë se ccfarë është një minorancë e zhurmshme që kundërshton ndryshimin kudo dhe ccfarë është një shumicë që me heshtjen e vet të aprovon pavarësisht se nuk rri gjithë ditën me megafon. Vazhduan protestat, mbaj mend që patëm deputetë që erdhën me pistoletë . Ata prish, ne ndërto, 78 protesta prishje, 100 ditë ndërtimi dhe në finale, ka qenë një nga historitë tona të suksesit. Në 50 muaj që e qeverisim Tiranën, kemi 50 kënde lojërash”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj tha se tashmë Tirana po mendon të transformojë edhe shërbimin e transportit publik duke kaluar te ai elektrik.
“Para 5 vitesh nuk i përmendje dot. Një autobus elektrik nga kompani evropiane kushton 1 milion dollarë; sot jemi në një situatë ku ka shkuar tek çerek milioni, por çerek milioni është më lirë se sa një autobus evropian me diesel, Euro 6 apo me Euro 5. Sot është futur ky opsion në ekonomitë lokale qoftë edhe të Ballkanit. Ne pak a shumë i kemi buxhetet e ngjashme dhe para 5 vitesh s’e konsideronim dot por sot realisht ne mund ta konsiderojmë dhe në Tiranë ka disa kompani që janë duke bërë porositë apo negociuar çmimin e fundit”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se 5 vite më parë kryeqyteti i ngjante një xhungle urbane, ndërkohë që sot është transformuar. Teksa tregoi sfidat e para me të cilat u përball në marrjen e detyrës, Veliaj theksoi se treguesi më i qartë i asaj që gjeti katër vite më parë ishte ora e qytetit e cila ndonëse tre metra larg zyrës së kryebashkiakut të kohës nuk funksiononte.
g.kosovari