Report TV ka publikuar videon e momentit kur Elton Macolli dy net më parë u aksidentua për vdekje në tunelin e Elbasanit me makinën me të cilën po udhëtonte me shpejtësi 145 km/h. Aksidenti ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në orën 20:19:25, teksa Mucolli ishte duke udhëtuar nga Tirana në drejtim të qytetit të Elbasanit.
Në pamjet e siguruara ekskluzivisht nga Report Tv, duket momenti kur 37-vjeçari si pasojë e shpejtësisë së madhe, tej normave të lejuara që po lëvizte brenda tunelit të aksit Elbasan -Tiranë godet nga pas një maune, ndërsa disa minuta më pas shpërtheu në flakë, pasi makina ishte e modifikuar nga benzinë në impiant gazi.
Sipas policisë dyshimet kryesore janë se Elton Macolli mund të ketë qenë i përgjumur në momentin e aksidentit, pasi nuk ka arritur që të frenojë. Edhe ndërhyrja me shpejtësi e zjarrfikëses nuk mundi ti shpëtonte jetën 37-vjeçarit, pasi goditja ishte shumë e fortë si pasojë e shpejtësisë, 65 km/ h mbi normën e lejuar.
Elton Maçolli punonte pranë bazës ajrorë të helikopterëve në Farkë, ndërsa ditën e djeshme u përcoll për në banesën e fundit.