“Vendimi i Këshillit Europian, apo mosvendimi për të qenë korrekt, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk mori parasysh aspak progresin me reformat kryesore të bëra nga të dyja vendet gjatë viteve të fundit, por ne gjithsesi duhet të vazhdojmë reformat e ndërmarra”.
Kështu deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i cili mori pjesë në seminarin e organizuar nga OSBE/ODIHR me temë “Drejt parlamenteve me ndjeshmëri gjinore në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut”.
Seminari dypalësh me pjesëmarrjen e mbi 60 deputetëve dhe personelit të parlamenteve të të dyja vendeve u zhvillua në qytetin e Pogradecit.
Nisur nga situata kur për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk u arrit dakordësi në Këshillin Europian, Balla u shpreh se të dy vendet e meritonin plotësisht. Sipas tij, nuk duhet humbur aspak kohë por vendet të vazhdojnë me reformat e nisura.
Balla shprehu besimin se do të ketë reflektim dhe se deri në Samitin e Zagrebit për vendet e Ballkanit Perëndimor në maj 2020, me siguri Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nisin bisedimet për anëtarësim.
“Dua ta nënvizoj se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet t’i jenë mirënjohëse Gjermanisë dhe Kancelares Merkel, për atë që udhëhoqi në Këshill, sepse Gjermania bashkë me 24 vende të tjera ishin Pro fillimit të bisedimeve për anëtarësim. Duke qenë se këtu jemi së bashku me anëtarë të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, dua t’ju them se të dy vendet tona jo vetëm e kanë anëtarësimin në BE si aspiratë, por procesi i anëtarësimit na ndihmon të përmirësohemi si instrument”, tha ai.
Duke vlerësuar vendimin e Bundestagut gjerman dhe detyrat e lëna, Balla nënvizoi si një çështje të rëndësishme ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kryetari i Grupit të PS-së tha se brenda dhjetorit do të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Brenda dhjetorit të këtij viti ne do të kemi miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Meqënëse në këtë tryezë ka përfaqësues të shumicës por edhe të opozitës parlamentare, unë dua të shpreh nevojën që Shqipëria, brenda dhjetorit të miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Këto janë pjesë edhe e detyrave të përcaktuara edhe nga Bundestagu, sepse nuk ka një matricë më të mirë të vlerësimit të progresit të Shqipërisë në rrugën e hapjes së negociatave, sesa vendimi i Bundestagut gjerman”, tha ai.
Balla i drejtoi një apel edhe grupimeve të tjera politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë, që përtej interesave politike që mund të kenë, adresimi i nevojave të ndryshimit të Kodit Zgjedhor të rekomandimeve të ODIHR-it duhet të jetë i menjëhershëm.
“Besoj që Krishtlindjet e 2019 dhe marrja e presidencës së OSBE-së nga ana e Shqipërisë, do të na gjejnë me ndryshime të miratuara në Parlament”, tha ai.
Duke u ndalur në temën e takimit Balla vuri në dukje përmirësimet e ndjeshme që ka marrë gruaja në institucionet publike dhe qeverisjes vendore në Shqipëri.