Nga Erion Isai
A do e dinte ndonjëherë Petro Luarasi se pamfletit të tij gjenial “Mallkimi i shkronjave Shqipe” do ti shkonte përsëri si titull një mallkimi të dytë… ai i mallkimit të vatanit të tij! Luarasi i 11 lagjeve, qendra e një burri të madh që preku deri Amerikën; por që dhe frymën e fundit e dha atje; në Luaras; sot; shkojmë tek 10 familjet e mbetura atje. Shkolla – kokë fortë – megjithë mbylljen e saj prej vitesh; kthimin nga banorët atje në depo zaihiresh; ajo ruan shkëlqim, dy katëshe, me asnjë xham të thyer, në një gjendje aq të shkëlqyer sa me pak orë pune, rikthehet në identitet. Bekuar nga Zoti si duket, për mesazhin se Luarasi është përzgjedhja e tij për dijen. Busti i Petros është aty, përpara shkollës. Pis! I shkëputur thuajse tërësisht nga piedestali. Por i bukur (madje shumë më i bukur se busti që kemi në qytet në Ersekë).
Më çojnë në lagjen Kostallarë, sa kalon burimin e ujit sheh gjurmët e kalldrëmit të fund viteve 1800-fillim viteve 1900. Duhet të ketë qenë shumë i bukur, sot ishte i trishtueshëm. Pak shenja… kur hyn në Kostallarë sheh grumbuj gurësh që menjëhere kupton avllitë, oborret, shtëpitë. Me siguri idetaori i lagjeve të vjetra të Korçës e ka vizituar e kopjuar Luarasin kur ka krijuar kalldrëmet e Korçës. Në ballkon të lagjes ishte toka ku ka qenë shtëpia e Petro Luarasit. Themelitë janë më thoshin banorët. Ju thashë se shtëpinë do ta bëjmë. Më buzëqeshën komplet fallco. Sigurisht që po mendonin “ehu sa kanë thënë si ky”
Të dyja ndjesitë më vinin tek shkelja gjithë fshatin: mrekullimin e natyrës, dehës në ajrin e pastër dhe braktisjen; të rrugës pa rrugë; e çdo detaji që asnjë vend si meriton të vuajë (por sidomos Luarasi). Me siguri që do bëja namin në këtë shkrim po të ishte ndonjë kryebashkiak tjetër, vrer do derdhja drejt tij gjithë peshën e fajit. Sot, jam unë, dhe vendosa ta nis këtë bast personal për Luarasin me këtë shkrim. Më pas me rrugën; menjëherë; me gjithë makineritë e puntorët e bashkisë. E me më të rëndësishmen; Shtëpinë e Petro Luarasit! E vendosa me veten në ato gurë gjendur në atë tokë, ringritjen e shtëpisë së PETRO NINI LUARASIT! Do ftoj çdo Kolonjar që bashkë, as për mua, as për veten, as për majtas e as për djathtas, por për të shtrenjtën krenari, Kolonjën!- të ri ngrejmë shtëpinë më të rëndësishme të kombit! E aty të vendosim një pllakëz me shkrimin “ndërtuar nga Kolonjarët”!
Nuk mundet që gjenialin që na la gjuhën e Kombit, ne ta lëmë pa shtëpi. Në themelet e mbetura sot do të ngrejmë “Shtëpinë e shkronjave Shqip” – vatani i Petro Luarasit!