Rudina Hajdari do të vijojë që të jetë në krye të grupit Demokrat. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Gramoz Ruçi nuk e njeh Korab Litën si kryetar të grupit Demokrat, por Rudina Hajdarin. Në datë 11 tetor 7 deputetë të këtij grupi parlamentar në një mbledhje të fshehtë vendosën që të shkarkonin Rudina Hajdarin nga drejtimi i grupit duke iu drejtuar Kuvendit me shkresën që e vendosnin në dijeni për ndryshimin e kryetarit.
Por disa orë më pas disa nga deputetët e këtij grupi u tërhoqën nga firma. Njëra prej tyre ishte Fatjona Dhimitri, por edhe Halit Valteri që iu drejtuan kryetarit të Kuvendit duke e vendosur në dijeni për tërheqjen nga firma. Rudina Hajdari akuzonte Korab Litën se ushtroi presion deputetëve për të firmosur që të bëhej kryetar grupi. I vendosur përballë kësaj situate me disa shkresa përballë, kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh sot në përfundim të seancës plenare teksa po votohej rendi i ditës, se grupi demokrat duhet të unifikonte qëndrimin.
“Më ka ardhur një njoftim për ndryshime në drejtimin e grupit Demokrat të cilët deklarojnë si kryetar grupi Korab Litën nga deputetë të tjerë si Halit Valteri dhe Fatjona Dhimitri më kanë drejtuar shkresë për të më vendosur në dijeni se ky vendim nuk është marrë.
Nga deputeti Murrizi dhe zonja Hajdari konfirmojnë të njëjtën gjë, dhe kam 5 kërkesa nga Ligoraq Karamelo, Majlinda Halili, Krenar Ryci, Elda Hoti dhe Vasil Stejovski që deklarojnë pjesëmarrjen në grupin Demokrat. Nga verifikimi që kam bërë kam tre gjëra për të thënë, e para jo vetëm këtij grupi por të treja, në fund të korrikut është miratuar rregullorja, që detyron që cdo grup të miratojë rregulloren, prandaj kërkoj që të vendosni në dispozicion rregulloret përkatëse.
Lidhur me kërkesat e patë që janë disa, riformatoni grupin parlamentar zotërinj që keni kërkuar, qoftë për pjesëmarrjen, qoftë për mendimet apo vendimet, së bashku me prurjet e reja dhe së treti unifikoni qëndrimet dhe që është e drejta juaj të zgjidhni kë të dëshironi në krye të grupit” deklaroi Gramoz Ruçi.
Vendimi i Ruçit është pritur me duartrokitje nga deputetja Rudina Hajdari dhe disa prej deputetëve. Tashmë me pjesëmarrjen e deputetëve të rinj në këtë grup dhe tërheqjen e atyre që firmosën duket se Hajdari ka forcuar pozitat për të blinduar postin e kryetares së grupit.