Asnjëri nga 12 pacientët e hospitalizuar në Infektivën e QKUK-së nuk kanë sëmundje ngjitëse, edhe pse ata të dielën janë përballur me një reaksion teksa po i numëronin zarfet me vota që kishin ardhur nga Serbia në Kosovë.
Por ende nuk po dihet se si ka ardhur alergjia te këta zyrtarë. Autoritetet e hetuesisë kosovare janë duke e kërkuar një laborator për t’i bërë analizat e marra nga mostrat në vendin ku kanë qenë votat e serbëve.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, tha për Express se këto analiza do të dërgohen jashtë shtetit.
Kjo sipas tij, vendi nuk ka ndonjë laborator i cili do t’i bënte këto analiza në mënyrë të detajuar. Megjithëkëtë, Munishi ka deklaruar se deri më tani janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe se kanë mbetur vetëm rezultatet e mostrave të marrë për analizë.
“Sipas asaj që e kemi parë, kemi vendosur që këto analiza të bëhen jashtë vendit, prandaj është herët dhe çkado që them ndoshta mund të gaboj. Analizat duhet të bëhen jashtë vendit sepse nuk kemi një laborator i cili bën analiza të detajuara, ashtu siç po kërkohet tash”, tha Munishi.
Ai nuk ka dhënë detaje se në cilin vend mund të dërgohen mostrat për analiza.
“Është shumë herët, jemi duke punuar për ta gjetur ku, por për momentin është shumë herët”, tha Munishi.
Por ndryshe prej Munishit dje është deklaruar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Ai për Express deklaroi se beson se Kosova ka laborator në të cilët mund të bëhen analizat toksikologjike.
g.kosovari