Procesi i verifikimit të zarfeve me vota të ardhura nga Serbia është ndërprerë rreth orës 11:00.
Raportohet se 26 numërues janë helmuar teksa po hapnin zarfet e ardhura nga Serbia.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se Prokurori dhe Policia janë në vendin e ngjarjes duke zhvilluar hetimet.
“Sa për sqarim, ngjarja nuk ka ndodhur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, por në hapësirën e ndërtesës së Ministrisë së Infrastrukturës ku është i vendosur shërbimi votues. Puna në QNR është duke vijuar me normalitet”, ka thënë ai për KosovaPress.
Kryeshefi i ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi ka vizituar vendin ku janë helmuar zyrtarët e KQZ-së, ku ka thënë se ende nuk e dinë se çfarë ka ndodhur por se kishte raportim për një kundërmim në disa zarfe.
“Jemi në proces të verifikimit të votave nga jashtë, ndërkohë është raportuar për një kundërmim në disa zarfe. Aty ka zarfe që kanë ardhur edhe nga shtetet tjera, por dhe nga Serbia. KQZ po pritët të vendos së si do veprohet. Ne jemi të vendosur që nuk do të preket asgjë nga integriteti i procesit zgjedhor”, tha ai.
Ndërkaq në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë paraqitur 9 pacientë të gjinisë femërore, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ultë.
Sipas ShSKUK-së, dy prej tyre kanë patur edhe vjellje. “Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile. Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfave brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese. Ekipa kujdestare e Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore”, thuhet në njoftim.
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas rastit të helmimit të punonjësve të operacionit të votimit përmes postës.
VV kërkon nga autoritetet shtetërore që të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë.
“Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Këto fletëvotime të sjella kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata”, thuhet në deklaratë. Lëvizja Vetëvendosje thotë se pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar.
/a.r