Pasi gjykata caktoi sot masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 personat e arrestuar me akuzën se bllokuan rrugën pas protestës së mbajtur tek ‘Unaza e Re’ nga banorët e Astirit, këta të fundit protestuan para gjykatës. Të mbështetur nga ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu, banorët kanë kërkuar lirimin e 3 të arrestuarve.
Mbi ta rëndojnë akuzat “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” si dhe bllokimi i rrugës, ndërsa me ndryshimet e bëra së fundmi në Kodin Penal, kjo vepër penale dënohet deri në 3 vite burg. Bëhet fjalë për shtetasit; Eduard Ferhati, 27 vjeç; Ruzhdi Daci, 54 vjeç si dhe Tomor Gjata, 56 vjeç.
Sipas avokatëve mbrojtës, rruga nuk u bllokua vetëm nga këta 3 persona, ndërsa shtuan se nuk pati arsyetim te vendimit.