Nga Mero Baze
Komisioni i Venecia si ka lënë dorë të lirë qeverisë shqiptare, të marrë vendimin që gjykon si të drejtë, për të shkarkuar Ilir Metën, duke ja lënë në dorë gjykimin Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Tirana ka marrë një paralajmërim të ashpër për ligjin për pronat, duke rrëzuar ligjin aktual të qeverisë shqiptare.
Në mënyrë të pazakontë, debati në Shqipëri po vazhdon vetëm rreth fatit të Ilir Metës. Ky i fundit gjysëm ore mallkon Venecian, gjysëm ore e lavdëron, gjysëm ore i quan të çmendur “pleqtë e Venecias”, gjysëm ore gjeni, gjysëm ore del që Venecia ka thënë që “as në rast lufte nuk shtyhen zgjedhjet, po nuk deshi Kuvendi”, pas gjysëm ore e heq këtë dhe thotë më ka dhënë të drejtë.
Por Ilir Metës nuk i vihet faj, se ai po sillet si njeri në hall, pasi Vencia e ka lënë në dorë të Ulsiut, pasi ka konstatuar që bojkoti nuk është arsye për shtyrje zgjedhjesh, dhe vendimi për anulimin e 30 qershorit nuk ka asnjë mbështetje ligjore dhe kushtetuese, dhe ka cenuar të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur.
Nga ana tjetër, debati real që duhet të ishte sot në Tiranë dhe që duhet të dominonte debatin politik, është ligji i pronave, një ligj i cili është kthyer në vahmirrës të periudhës së tranzicionit, duke penguar investimet, duke mos kthyer pronën tek i zoti dhe duke krijuar arbitraritet dhe pasiguri juridike për këdo që ka marrë pronën dhe për këdo që nuk e ka marrë.
Në fakt, në Tiranë të gjithë diskutojnë vetëm rreth fatit të Ilir Metës, i cili në fakt nuk është se pati ndonjë fat të mirë në Venecia, dhe nuk diskutojnë se si mund të bëhet një pakt kombëtar për pronat dhe si mund të forcohet siguria juridike për to në të ardhmen, si një nga kushtet bazë për negociatat me BE dhe më tej, për anëtarësim.
Ligji i pronave është ligji themelor, që ka prodhuar gjithë problemet, përfshi dhe ato politike në Shqipëri, dhe që aktualisht është një ligj i dërrmuar nga ndërhyrjet politike dhe nga fuqia juridike për dhënë tituj pronësie përmes 8 mënyrave.
Komisioni i Venecias e ka rrëzuar ligjin e qeverisë për pronat, duke dhënë një sinjal të fortë politik për nevojën që ky ligj të prodhojë siguri juridike në të ardhmen.
E vërteta është se Greqia ka qëndruar pas vërejtjeve për ligjin, për shkak të ankesave të disa pronarëve në bregdet, por kjo nuk duhet konsideruar negative.
Negative është kur Greqia i quan planet e zhvillimit urban në bregdet si persekutim për pakicën greke. Duke luftuar për një ligj për pronat që prodhon siguri juridike, Greqia në një farë mënyre heq dorë nga të trajtuarit e ligjit të pronave si ligj me të drejta speciale për minoritetin, dhe e trajton atë si një ligj që duhet t’u japë të drejtën e pronës qytetarëve shqiptarë.
Ndaj tani sfida reale e qeverisë shqiptare pas Vencias nuk është Ilir Meta. Atë e ka në dorë Ulsiu, pasi Presidenca nuk është pronë, është institucion. Sfida reale e klasës politike është të shkojë tek një ligj për pronat kompatibël me ligjet e Bashkimit Europian. Ai do të jetë europianizimi real i Shqipërisë.