“Unë kam qenë gjithmonë kundër shkëmbimit të territoreve, si një metodë për t’i rënë shkurt një procesi që është shumë i komplikuar, por nga ana tjetër është e paimagjinueshme që të arrihet në një përfundim nëse nuk ka vizion dhe nëse nuk ka vullnet për të rënë dakord për vijën e kufirit”, – deklaroi Kryeministri Edi Rama nga Novi Sadi në një intervistë për një media.
Në lidhje me përshtypjet për Novi Sadin, Kryeministri Rama u shpreh se “kam pas mundësi të bëj një shëtitje të shkurtër, por sigurisht është një qytet i bukur dhe nga ana tjetër takimi ishte sipas meje me rëndësi dhe i vlefshëm sipas meje, sepse krijon premisën për një shpejtësi të re jetësimin e gjithë atyre dakordësimeve dhe gjithë atyre nismave që janë miratuar nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Për sa i përket mungesës së Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjës, Rama tha se “siç është shkruar në deklaratën e përbashkët kjo nuk është një nismë alternative, nuk është një nismë konkurruese, nuk është një nismë përjashtuese. Është një nismë e vullnetit të mirë me synimin e gjithëpërfshirjes së të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në një proces ku koha nuk është në favorin tonë, në sensin që njerëzit me të drejtë presin më shumë dhe për t’u dhënë më shumë, ndër të tjera të çlirojmë potencialin e madh që ka bashkëpunimi rajonal në çdo aspekt”.
Në lidhje me deklaratën e kryeministrit në konferencën për shtyp se ne nuk jemi prioritet i BE-së dhe do të duhemi të bëjmë diçka që nuk ka ndodhur deri më tani, Rama tha “unë iu përgjigja një pyetje që lidhej me mungesën e përfaqësuesve të BE-së në këtë takim dhe thashë që siç është e vërteta se ne nuk jemi prioriteti numër 1 i Bashkimit Europian, pasi BE ka prioritet numër 1 vetveten, divergjencat e brendshme që ne nuk mund të presim që të kthemi në prioritetin numër 1 të BE-së për të vazhduar një proces që e kemi nisur bashkërisht me BE dhe me patjetër mirëpresim çdo kontribut nga Bashkimi Europian”.
“Në fund të ditës, titulli i deklaratës dhe qëllimi fundor i gjithë kësaj përpjekje është realizimi i katër lirive të BE, që kanë të bëjnë me lëvizjen pa barriera të mallrave, të kapitaleve dhe mbi të gjitha, të njerëzve”, – tha ai.
Për sa i përket marrëdhënieve me Vuçiç, Rama tha se “më kanë lënduar jo pak me abuzimet, gënjeshtrat, shpifjet që janë bërë në adresën time në lidhje me këtë marrëdhënie, sepse e vërteta është se kjo marrëdhënie është e hapur, e drejtpërdrejtë dhe sigurisht është një marrëdhënie që asnjëherë nuk e përjashton debatin e vazhdueshëm që kemi për të ardhmen e Kosovës dhe absolutisht mirëkuptimi me Presidentin e Serbisë shtrihet dhe në faktin se ai ka mirëkuptuar se unë nuk mund të ndryshoj qëndrim lidhur me Kosovën”.
“E thashë që në fillim se edhe figura të larta politike Kosovë, se në Shqipëri këtë zakon e kanë pasur gjithmonë, e kanë shënjestruar këtë marrëdhënie duke e përdorur si një bazë për shpifje dhe gënjeshtra, sikur unë paskëm promovuar ndarjen e Kosovës. Unë paskam qenë njeriu që paskam punuar prapa shpinës së Kosovës, sikur unë paskam qenë njeriu që i paskam bërë presion Kryeministrit të Kosovës, gjë që më ka detyruar ta them publikisht siç e ka merituar një gënjeshtër”, – shtoi Rama.
Për sa i përket dialogut dhe rolit të Albin Kurtit, Rama u përgjigj se “padiskutim, Albin Kurti është shprehje e vullnetit të zgjedhësve të Kosovës edhe nëse do të marrë rrugëtimin e qeverisjes së Kosovës, ai është kryeministri legjitim me të cilin Serbia do, s’do, duhet të komunikojë dhe duhet të gjejë rrugën për të strukturuar një proces dialogu që as nuk mund të imagjinohet pa qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës”.
“Nga ana tjetër unë e kam ndjekur edhe fushatën, edhe deklarimet pas fushatës, dhe në deklarimet pas fushatës ai është paraqitur si një individ i zgjedhur që do marrë përgjegjësi të mëdha dhe aspak si një person që zgjedhjen e tij e shikon si një mundësi për të ndërmarrë veprime apo për të reaguar në kundërshtim me atë sensin pozitiv që në tërësi duhet të dominojë në një proces të vështirë ku patjetër Kosova ka të gjitha të drejtat, po liderët e Kosovës kanë dhe detyrimet që të çojnë përpara një dialog që duhet riparë, duhet ristrukturuar dhe duhet fokusuar qartësisht në përfundimin e tij me njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia dhe në çlirimin pastaj të gjithë zinxhirit të njohjeve nga vendet e tjera”, – shtoi ai.
Për sa i përket marrëdhënieve me Albin Kurtin, Rama tha se kam pasur në vijimësi takime, por kur s’kam qenë dakord ia kam thënë, kur s’ka qenë dakord m’a ka thënë, por ndryshe nga Albini unë nuk bëj politikë me marrëdhënie personale dhe me biseda që shkëmbejmë me njëri-tjetrin. Dhe më vjen mirë që ai të marrë përgjegjësinë e kryeministrit dhe t’i japë Kosovës atë energji dhe atë freski që kanë kërkuar prej tij dhe falë tij ata që e kanë votuar, dhe kështu besoj se do jetë më pak e vështirë. Se ashtu siç e ka thënë bukur një figurë e shquar, ‘opozita është poezi dhe qeveria prozë’”.
Ndërsa për sa i përket se një pjesë në Kosovë thonë pse Rama shkon në Serbi, Rama tha se “nuk e shoh fare politikën apo kornizën politike të një personi, por e shoh pse shkon dhe çfarë thonë dhe nuk mendoj fare se çfarë thonë edhe kur erdha unë në Beograd më thanë tradhti të shkosh, dhe kur erdha më brohoritën, dhe një herë tjetër kur të mos e kesh mendjen shajnë. Këto nuk më intereson fare por më intereson të çoj para qëllimet fisnike, qëllime që lidhen për një jetë më të mirë për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, shqiptarët dhe gjithë popujt e tjerë përfshirë dhe Serbinë.
Për sa i përket të takimit të Vuçiç me Të Dërguarin amerikan për Dialogun, Rama tha se “unë e kam thënë që në krye të herës, sepse më kanë lënduar qëndrimet brutale në raport me qëndrimin tim, ky është një moment me rëndësi të jashtëzakonshëm dhe në këtë moment mund të jetohet me dy mënyra.
Mund të jetohet duke marrë peng dialogun për qëllime të politikës të brendshme për të marrë ca vota më shumë, mund të jetohet për të marrë përgjegjësi dhe çuar dialogun deri në fund, por për ta çuar dialogun deri në fund sigurisht që duhen përdorur disa kushte që nuk janë përmbushur deri më sot. Duhet një mirëkuptim në radhë të parë mes shqiptarëve dhe liderëve politikë. Duhet një qasje e ndershme dhe duhet dhe kapaciteti për të pranuar se ka opsione të ndryshme në diskutim. Unë kam qenë gjithmonë kundër shkëmbimit të territoreve, si një metodë për t’i rënë shkurt një procesi që është shumë i komplikuar, por nga ana tjetër është e paimagjinueshme që të arrihet në një përfundim nëse nuk ka vizion dhe nëse nuk ka vullnet për të rënë dakord për vijën e kufirit”, – thekson ai.
Më tej Rama shtoi se “një gjë duhet të jetë e qartë, që nuk mund të ndërtohet e ardhmja duke vizatuar një kufi etnik, ajo që është thelbësore është që përpara se t’i themi njëri-tjetrit armik dhe tradhtar për të fituar disa vota më shumë, të shikojmë te njëri-tjetri një mundësi më shumë për të kuptuar mirë se çfarë do bëjmë. Asnjëherë nuk kam dalë publikisht për të bërë politikë të brendshme për të keqpërdorur marrëdhëniet e mija që kanë qenë shumë të mira me të gjithë. Dhe më vjen shumë keq që kam qenë i detyruar që të dal publikisht kur vërtetë jam sulmuar dhe jam anatemuar në mënyrën me të ulët me një gënjeshtër të madhe, si ajo që përdori dhe shpërndau Ramush Haradinaj”, – tha ai.
Për sa i përket dinamikës nëse vazhdojnë bisedimet, Rama tha se “unë nuk shoh filxhan dhe nuk jam profet. Unë mendoj që është gjëja më normale që të përpiqemi të bëjmë më të mirën për të zgjidhur këtë ngërç historik, por patjetër jo me çdo çmim dhe jo në kurriz të Kosovës dhe të kombit shqiptar, nuk diskutohet”.
Për sa i përket takimit me Zaev dhe shpresave të përbashkëta në BE, Rama tha se “unë jam në këtë pikë realist, nuk jam as optimist, as pesimist. E kam thënë gjithmonë dhe jam i bindur se konkluzionet e Këshillit do të provojnë që sido që të jetë përfundimi, tek përfundimi do mund të lexohet se kjo nuk është një çështje që lidhet se çfarë kemi bërë ne, kjo është një çështje që lidhet me çfarë kanë të bëjnë anëtarët e BE-së për veten e tyre”.
“Nuk kemi pse të ndihemi keq, sepse po të ndihemi keq s’do kishim bërë detyrat, por sot jo ne, jo Shqipëria, jo Maqedonia e Veriut, por cilido nga anëtarët aktualë të BE-së, po t’u ishte kërkuar të njëjtën gjë, mund të mos e merrte, pikërisht sepse kjo nuk lidhet më me çfarë kërkon ti dhe sa e meriton ti atë që meriton, sepse ne e meritojmë plotësisht, por lidhet me sa janë të gatshëm ata të të japin atë që meriton, ndërkohë që dhimbjet e kokës i kanë me çështje të tjera që lidhen me ato vetë”, – tha Rama.
/a.r
Filosofonjes.