Kreu i DPSHTRR Blendi Gonxhja jep lajmin e shumëpritur nga të gjithë drejtuesit e mjeteve. Sipas Gonxhes, nga 21 tetori merr fund stresi 30 vjeçar për xhamat e errësuar apo siç quhen rëndom ‘xhamat e zinj’ pasi nuk do të ketë më penalizime.
“Tjetër LAJM I MIRË për qytetarët! Merr zgjidhje një shqetësim për gjithë drejtuesit e mjeteve! Pas dëgjesave dhe konsultimit të praktikës ndërkombëtare, DPSHTRR propozoi rregullimin nënligjor dhe MIE miratoi Udhëzimin Nr. 5, dt. 07.10.2019 “Për miratimin dhe certifikimin e xhamave të errësuar me materiale të fabrikuara dhe të homologuara nga prodhuesi, për përdorimin e tyre në autovetura”, shkruan kreu i DPSHTRR.
Me udhëzimin e ri, të gjithë qytetarët që drejtojnë apo posedojnë mjete me xhama të zinj apo dhe që dëshirojnë t’i errësojnë vetë, mund të informohen në drejtoritë rajonale apo dhe në faqen online të DPSHTRR për normën dhe cilësinë e errësimit, në përputhje me rregullat ndërkombëtare.
“DPSHTRR ngarkohet për hartimin e rregullores përkatëse të shërbimit më të ri, që do nisë nga 21 Tetori 2019 pranë gjithë drejtorive rajonale e shoqëruar me info e orientime online që do pasqyrohen në www.dpshtrr.gov.al në ditët në vijim! Merr fund një stres 30 vjeçar – me xham, pa xham, e ke s’e ke! E drejta për të errësuar xhamat e autoveturave zyrtarizohet dhe bazohet mbi kritere cilësie e sigurie në përputhje me dispozitat ndërkombëtare”, shkruan më tej kreu i këtij institucioni, Blendi Gonxhja. /l.m