Duke marrë si shembull Gërdecin dhe 21 Janarin Skënder Gjinushi e cilëson një farsë procesin e dekriminalizimit.
“Dekrminalizimi është shtruar keq që në formë dhe në përmbajtje.
Ai fillon me zbardhjen e aferave të mëdha korruptive të kryera nga politika.
Ai fillon dhe mbaron me ndëshkimin e përgjegjësve kryesorë të kriminalizmit të politikës shqiptare.
Nga ata që kanë abuzuar dhe shpërdoruar miliarda lekë nga pasuria kombëtare.
Nuk mund t’i kërkosh politikës të pastrojë kuvendin nga disa të dënuar, procesi nuk mund të fillojë nga ndëshkimi i të dënuarve, por nga ata të implikuar që ende nuk janë dënuar. I atyre që janë mbrojtur politikisht.
Futja e këtyre personave të dënuar në Kuvend është vetëm një nga treguesit që politika bashkëjeton me një pjesë të “pistë”. Kemi këtu aferat e milionave apo vrasjet e “21 janarit” që e dëshmojnë më së miri këtë fakt.
Ky aspekt që është kapur më duket si një lojë, pasi t’i zbulon 2, 3 apo 4 të papërshtatshëm që kanë hyjnë në Kuvend, ndërsa mbulon gjithë ata që janë ende të pandëshkuar, që si rregull janë më të rrezikshëm se ata që janë të dënuar.
Si rregull ndërkombëtar mafia ka shkallë të lartë implikimi dhe shkallë të ulët ndëshkimi. Problemi është se sa politika është nën ndikimin e botës së krimit dhe treguesit sesi matet kjo janë të shumtë.
Papërshtatshmërinë nuk mund ta heqësh në Kuvend, ajo hiqet me votë. Nuk mund ta heqësh as me ligj, pasi ligji kthehet në aspektin formal që disa të dënuar do i ndalosh të kandidojnë, po me ata biografi edhe më të keqe që nuk janë dënuar si do veprohet!
Ky është një problem moral apo social që nuk rregullohet me ligj. Nuk e kuptoj sesi një demokraci kërkon të dënojë të dënuarit.
Nëse mund të votohet një person i dënuar këtë e vendos populli dhe jo ligji. Një ligj i tillë mund të bëhet vetëm në kushte tepër emergjente.
Marrin shembull rastin e Italisë, por aty ka ndodhur pasi e dimë që ai vend mafien e ka një problem të madh.
Kjo është e rangut të tjerë apo të katërt nëse nuk e fillojmë me ndëshkimin e atyre që ende janë të lirë, të fortët e politikës të implikuar në krime”, shprehet Gjinushi në një intervistë për gazetën Shekulli.