Mbi 340 fëmijë janë sot në situatë rruge, tha Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri gjatë konferencës me temë “Kundër trafikimit të qënieve njerëzore” qe u mbajt sot ne Tirane.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Brendshëm, vuri në dukje faktin se në rrugët e vendit tonë shihen shumë fëmijë të cilët lypin lëmoshë. “Si prind, si njeri ndihem keq kur shoh fëmijë që kërkojnë lëmoshë. Sipas një vlerësimi rezultojnë rreth 340 fëmijë në sistem rruge, por të gjithë e dimë që shifra është shumë herë më e madhe. Duhet luftuar ky fenomen”, tha Tahiri.
Ai kërkoi aplikimin e legjislacionit për dënimet me deri në 10 vite burg për prindërit që braktisin fëmijët. “Çdo fëmijë që kërkon lëmoshë është viktimë më së pari e familjes së tij. Policia do fillojë menjëherë të kërkojë aplikimin e gjithë legjislacionit, ku parashikohet dënim deri në 10 vjet heqje lirie që identifikohen në kushtet e braktisjes së fëmijëve. Nxjerrja e fëmijëve për të kërkuar lëmoshë, kusht i nevojshme për të lejuar pasojat kriminale të braktisjes së fëmijës dhe shfrytëzimi. Por edhe dhënia lëmoshë është një gabim po kaq i rëndë, sepse ushqen këtë sistem të paligjshëm kriminal të trafikimit të fëmijëve”, u shpreh ai. Tahiri tha se është momenti për të forcuar mekanizmat për identifikimin e rasteve të trafikimit. “Puna jonë vijon maksimalisht për këtë prioritet”, theksoi ai.
Ministri Tahiri i pyetur nga gazetarët për trafikimin e fëmijëve në Angli, ku Shqipëria renditet e dyta, sipas një shkrimi të “The Guardian”, tha se dhe vetë ambasadori e vlerësoi shkrimin të gabuar.
“Shoqërisht përgatitemi për të luftuar fenomenin. Nuk mjaftojnë kurrë instancat shtetërore dhe shoqëria civile. Statistikat janë ato që janë bërë publike, nga policia, prokuroria dhe gjykatat. Sot më shumë të proceduar se në 2013. Kjo tregon përmasat e fenomenit por edhe vendosmërinë tonë për tu marrë me këtë çështje”, tha Tahiri.
Duke folur për shkrimin e “The Guardian” ai tha se shifrat janë gabim. “Artikulli mori përgjigje edhe nga ambasadori.
E rëndësishme eshte të kemi kujdes për trafikimin e fëmijëve jashtë dhe brenda Shqipërisë. Policia do fillojë identifikimin e fëmijëve të trafikuar, duke kërkuar procedime penale për prindërit që i shfrytëzojnë në mënyrë të tillë. Nga ana tjetër i kërkoj shoqërisë të mos japë lëmoshë. Dhënia e lëmoshës është mekanizmi për të ushqyer trafikimin e fëmijëve nga vetë prindërit. Ndihma më e mirë ti raportojmë tek organet kompetente”, theksoi Ministri Tahiri.