Eurodeputeti dhe njëkohësisht Raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein deklaroi sot gjatë një konference për shtyp në mbyllje të vizitës së tij në Tiranë se, qeveria shqiptare ka një program ambicioz reformash.
“Kur vij në Tiranë njerëzit e gazetarët presin të sjell mesazhe nga BE, por unë nuk sjell lajme nga BE, por çoj mesazhe në Bruksel”, u shpreh Fleckenstein.
“Pata takime me krerët e shtetit, anëtarë të qeverisë e deputetë, ndërsa ditën e nesërme do të zhvilloj takime me opozitën”, tha raportuesi për Shqipërinë.
Fleckenstein u shpreh se, “shihen rezultatet e para të programit të reformave”.
“Drafti i parë i reformës në drejtësi i është dërguar komisionit të Venecias”, tha Fleckenstein, duke shtuar se, “janë paraqitur një sëri reformash edhe në luftën ndaj korrupsionit si edhe ka përparim në luftën ndaj krimit të organizuar.
“Në raportin e BE do të reflektohen të gjitha arritjet dhe bashkëpunimi mes palëve”, theksoi Raportuesi Fleckenstein, por shtoi ai, “ne e dimë që ka ende punë për të bërë”.
“Kuvendi e qeveria kanë punuar për reformat pasi morët statusin”, tha Fleckenstein, duke shtuar se, “edhe opozita është tejet e angazhuar për reformat”. Sipas tij, “Opozita jep propozime që shqipëria të ecë përpara”.
“2016-a ka për të qenë vit kyç për Shqipërinë. Viti kur Kuvendi do miratojë reformën në drejtësi dhe viti kur reforma në drejtësi do të implementohet”, tha Raportuesi Fleckenstein, i cili e ka cilësuar reformën në drejtësi si më ambiciozen në 25 vite.
Sipas tij, nëse reforma në drejtësi do të jetë e suksesshme ajo do të sjellë efikasitet në luftën antikorrupsion si dhe ndihmë në thithjen e investimeve.
“Reforma në drejtësi është detyrë e qeverisë ndaj qytetarëve dhe nuk duhet bërë për të kënaqur ndërkombëtarët”, tha Fleskenstein, i cili shtoi se, “Kam para amendamentet e të gjithë kampeve politike”. Raportuesi Fleckenstein theksoi se, konsensusi do të jetë i vështirë për t’u arritur, por u shpreh i sigurtë se, politika do e arrijë.
Fleckenstein theksoi se në parlamentin Europian do të përcjellë mesazhin se “politikanët shqiptarë kanë dëshirë për të ecur para, politikanët duan që reformat të jenë të suksesshme, politikanët duan që vendi te jetë gati për anëtarësim në BE”. Ndërsa shtoi ai, “Nga ana e BE duhet të japim mbështetje për Shqipërinë”.
Duke folur për dekriminalizimin Fleckenstein theksoi se, shumë shpejt palët do të arrijnë konsensus “Pozita e opozita duhet të miratojnë reformën në drejtësi gjysmën e parë të 2016. Nëse miratohet reforma do bëj çdo gjë për hapjen e negociatave në gjysmën e dytë të vitit 2016.
Fleckenstein u spreh se në Bruksel ka shumë që e mendojnë si ai, por shtoi, me rëndësi është që të gjendet kompromisi dhe palët të mos tregohen kokëforta.