Një turist zviceran është aksidentuar ditën e sotme në Shkodër. Policia e Shtetit thotë se 64-vjeçari duke udhëtuar me motoçikletë aksidentalisht ka dalë nga rruga duke përfunduar 120 metra në humnerë pranë lumit Kir. Menjëherë pas ngjarjes, turisti u transportua në spital ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Policia në bashkëpunim me banorët i shpëtojnë jetën një turisti zviceran, i cili ra në humnerën mbi Lumin Kir. 64 – vjeçari nga Zvicra duke udhëtuar me motoçikletë, del nga rruga dhe bie rreth 120 metra në humnerën mbi lumin Kir. Rreth orës 19:30, në rrugën Shkodër- Bregu i lumit, në vendin e quajtur Prekal, shtetasi zviceran J. B., 64 vjeç, banues në Zvicër, dyshohet se ka humbur kontrollin e drejtimit të motoçikletës dhe ka dalë nga rruga duke rënë rreth 120 metra në humnerën mbi lumin Kir.
Në sallën operative erdhi një telefonatë nga një banor i zonës i cili kishte parë ngjarjen. Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes shkuan forcat e Policisë dhe në bashkëpunim me banorët e zonës, kanë bërë të mundur nxjerrjen e 64 – vjeçarit nga humnera duke e transportuar më pas në spital. Shtetasi zviceran ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtimin e duhur në spitalin Rajonal Shkodër
Policia e Shkodrës falënderon banorët e zonës për bashkëpunimin, kontributin dhe solidaritetin që treguan në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera të ngjashme. Policia është e angazhuar në shërbim të qytetarëve, turistëve dhe vizitorëve dhe fton cilindo që të kontaktojë në numrin 112 apo nëpërmjet aplikacionit “Komisariati Dixhital”, për çdo problematikë ose shqetësim, duke premtuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.