Isa Mustafa, kreu i LDK-së, partia e dytë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, pas Vetëvendosjes, është shprehur se këto ditë do të takohet me kreun e kësaj partie Albin Kurti për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes.
“Në zgjedhjet e 6 tetorit LDK mori përkrahje të gjerë nga qytetarët tanë. Qytetarët ndëshkuan ata që qeverisën keq.
Në një garë tepër të ngushtë, 50:50, fituesi, LDK apo VV, do të dihet përfundimisht pasi të përfundon numërimi i plotë i të gjitha votave.
Këto ditë, së bashku me kandidaten tonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani, do të takohemi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes. Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së. IM”, shkruan Isa Mustafa. /l.m