Gratë shqiptare e konsiderojnë dhunën ndaj tyre si normale dhe vetëm shumë pak prej tyre e denoncojnë në polici! Turpi, frika nga dhunuesi dhe mungesa e besimit tek institucionet janë tre nga arsyet kryesore që i “pengojnë” ato që të denoncojnë dhunën ndaj tyre. Është ky përfundimi i anketës “Mirëqenia dhe siguria e grave”, të drejtuar nga OSBE-ja, ku të intervistuara kanë qenë 1 858 grave të moshës 18-74 vjeç.
“Pothuajse 9 në 10 gra e quajnë dhunën ndaj grave normale në Shqipëri – 9 në 10. Më shumë se gjysma e viktimave të ngacmimit seksual heshtin – më shumë se gjysma. Ndërsa 97% e viktimave të dhunës intime brenda shtëpisë kurrë nuk e raportojnë atë në polici – 97%. Pothuajse gjysma e të gjitha të anketuarave raportojnë se e shohin dhunën ndaj grave si çështje private. Ndërsa 97% e viktimave të dhunës intime brenda shtëpisë kurrë nuk e raportojnë atë në polici – 97%.“, thuhet në raport.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, tha se të dhënat e anketës tregojnë qartë se normat kulturore dhe sjelljet që kanë të bëjnë me dhunën ndaj grave duhet të ndryshojnë dhe se duhet vepruar. “Si burrat, ashtu edhe gratë, duhet të marrin pjesë në ndryshimin e këtyre normave kulturore. Ndërkohë, gratë duhet të fuqizohen që të denoncojnë dhunën; denoncimet e tyre duhet të merren seriozisht nga policia, prokurorët dhe gjykatësit dhe dhunuesit duhet të vihen përpara drejtësisë“.
E pranishme në prezantimin e kësaj ankete, ishte edhe ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila theksoi se ndonëse është bërë një punë e mirë, kjo anketë është një këmbanë alarmi. “Raporti është një kambanë alarmi që tregon se, veç punës që kemi bërë, duhet të bashkërendohet puna me shoqatat e shoqërisë civile dhe duhen forcuar mekanizmat vendorë për dhunën në familje”, tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ajo theksoi edhe nevojën për bashkërendim më të mirë mes institucioneve shtetërore.
Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se qeveria e Shqipërisë ka marrë hapa konkretë për të luftuar dhunën në familje dhe ka përmirësuar ligjin për masat kundër dhunës në familje. “Megjithatë, duhet bërë më shumë për të shpejtuar ngritjen e mekanizmave referues për rastet e dhunës në familje në të gjitha bashkitë dhe për të mundësuar përgjigjen e menjëhershme kundër këtij fenomeni në nivel komuniteti”, tha Manastirliu. /l.m