Gjashtë ditë më parë u ekzekutua me gjashtë plumba Eri Zefi në Fan të Mirditës, ndërsa deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar, por një fëmijë katër muajsh që mbeti jetim. Vrasja dyshohet se lidhet me hakmarrjen, pasi vëllai i viktimës, Ndue Zefi në datë 24 shkurt të këtij viti vrau Martin Ndrecën në sytë e fëmijës 10-vjeç në Durrës.
Në një intervistë ekskluzive për Shqiptarja.com, gruaja e Eri Zefit rrëfen të gjithë historinë e gjakmarrjes mes dy familjeve pas vrasjes së Martin Ndrecës. Nazli Zefi 25-vjeçe e cila nuk është shqiptare, por që ishte martuar me Eri Zefin dhe 4 muaj më parë solli në jetë djalin, thotë se burri i saj e kishte shok të ngushtë Martin Ndrecën, që vrau i vëllai. 25-vjeçe tregon se burri i trembej hakmarrjes pas vrasjes që kishte bërë i vëllai.
“Mua më kanë vrarë burrin dhe babanë e fëmijës 4 muajsh. Unë vetë jam e huaj, por dua drejtësi për burrin tim. Ai ka humbur jetën pa faj. Gjithnjë ka qëndruar me frikë dhe më fund e kanë vrarë. Fëmija im po rritet pa baba, ndërsa unë ende nuk e di kush e ka vrarë burrin tim. Unë dua të di se cfarë ka ndodhur me burrin tim. Policia gjysmën e fakteve e ka lënë me humbur në vendin e ngjarjes, ka lënë ekspertizën në gjysëm. Burri im e ka dashur djalin e vet edhe ka vdekur për atë. Nuk mundem me kuptuar, që gjakmarrja bëhet mbi njerëz të pafajshëm.
Kam humb burrin, jam pa letra edhe kam frikë që djali im nuk rritet ashtu si ka pas dëshirë. Burri im pa ditur gjë ka ecur në rrugë të keqe. E kanë mashtruar dhe është bërë gjakmarrja. Duhet të ndalohet gjakmarrja mbi njerëzit e pafajshëm. Unë kam shkuar te vendi ku i ka dalë shpirti me vendosur lule dhe jo për të gjetur plumbat që kanë kaluar në trupin e tij. Nuk mund të jem rehat, se unë e di që 1000% burri im ka lënë jetën pa faj. Ai ka pasur frikë për gjakmarrje, cdo natë ishte në mendime dhe me lot në sy në gjumë. Kunati im Ndue Zefi ka vrarë Martin Ndrecën para njerëzve edhe është dorëzuar duke pranuar vrasjen.
Kur ka ndodhur konflikti me Ndue Zefin dhe Martin Ndrecën atë natë ky i fundit mori në telefon burrin tim sepse kanë qenë shokë. Por ne ishim në gjumë dhe askush nuk e dëgjoi telefonin. Kur u ngritëm në mëngjes pamë që kishte shumë thirrje të humbura. Më pas burri mori vesh se i vëllai kishte vrarë atë natën Martinin. I iku truri dhe nuk po besonte si është bo kjo punë mes shokëve. Burri, cdo natë më thoshte ‘është gjynah që Ndue Zefi (i vëllai) është në burg dhe nuk mundet me pa fëmijët e ve, por ma gjynah se Martini nuk ka.
Martiani nuk mundet kurrë më me marrë fëmijët e vet në krah, nuk ka më keq’. Edhe sa herë ai thoshte ‘o Zot unë kam djalin aq kaq të vogël dhe nuk mundem të mendoj mos me qenë këtu për atë‘. Dhimbjen që ka pasur familja e Martinit atëherë, e kemi ne tani. Nuk e kuptoj pse e kanë vrarë burrin tim, ai nuk ka pasur kurrë konflikte me shokët, as me njerëzit e tjerë. Ai ka ndihmuar cilin ka mundur. Unë kam qenë në polici dhe u kam thënë se mendoj se janë të korruptuar. Mua më thanë se nuk ka policë të korruptuar por nuk ka mundësi me e bërë atë punë” deklaroi ajo në prononcimin për Report Tv.
Report Tv siguroi ekspertizën mjeko-ligjore, ku thuhet se Eri Zefi u ekzekutua me 6 plumba, 4 prej të cilëve e kanë kapur në kokë ndërsa 2 të tjerët në gjoks. Në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune dhe vrasja rezulton të ketë ndodhur gjatë natës gjashtë ditë më parë pikërisht në vendin ku është gjetur trupi i viktimës. Viktima u gjet i vrarë rreth orës 16:00 të së mërkurës së kaluar në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg rrugës së Kombit dhe pista kryesore ku po hetohet është pikërisht gjakmarrja.
g.kosovari