Kuvendi i Kosovës të premten në orën 16:00 ta vazhdojë seancën e ndërprerë disa herë nga partitë politike në opozitë. Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, para mbajtjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, ka takuar kryeparlamentarin Kadri Veseli. Ambasadori amerikan ka konfirmuar përkrahjen e tij për vazhdimin e seancës së sotme plenare, duke e konsideruar të rëndësishme që Kuvendi i Kosovës ta vazhdojë punën dhe të miratojë ligje që janë qenësore për Kosovën. Delawie i ka porositur partitë opozitare mos të përdorin dhunë në institucione.
“Për ata njerëz që sjellin armë në Kuvendin e Kosovës dhe i përdorin kundër kolegëve të tyre, unë kam një mesazh: Ju po e lëndoni ekonominë e Kosovës, ju po rrezikoni që Kosova të izolohet nga komuniteti euroatlantik, ju po vëni në rrezik shanset e Kosovës për liberalizmin e vizave, ju po i vononi shanset e Kosovës për njohje të reja”, ka deklaruar ambasadori amerikan Greg Delawie.