Fondi Monetar Ndërkombëtar mbërrin javën tjetër në Tiranë për të vijuar diskutimin mbi rishikimin e pestë të marrëveshjes me Shqipërinë, e cila nuk e përmbyll gjatë misionit të qershorit për shkak realizimit të dobët te të ardhurave buxhetore.
Burimet nga Ministria e Financave njoftojnë se, Misioni i FMN do të njihet me zhvillimet makroekonomike në vend dhe pas do të konsultohet me qeverinë në mënyrë të zgjeruar mbi zhvillimet buxhetore te këtij dhe projektbuxhetit 2016. Gjithashtu do të diskutohen edhe ndryshime në paketën fiskale, të cilat para se të shpërndahen në grupet e interesit do të konsultohem me FMN.
Gjatë vizitës në Shqipëri Misioni do të ndërmarrë takime me Ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, atë ekonomisë Arben Ahmetaj dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko. Takimet në rang ekspertësh do të përfshijnë edhe institucione të tjera. Në përmbyllje të takimeve, Misioni do të ketë një komunikim me shtypin, ku do të mësohet nëse marrëveshja do të zhbllokohet.
Gjatë vizitës së qershorit Misioni nuk e nënshkroi rishikimin e pestë të marrëveshjes për shkak se, deficiti i krijuar në të ardhurat buxhetore kishte shënuar mbi 11 miliardë lekë në 5 muajt e parë të vitit dhe Fondi nuk është bindur me argumentet që qeveria ka dhënë për këtë mosrealizim, për rrjedhojë është bllokuar edhe kësti i radhës prej 26 milionë eurosh.
Për të përmirësuar situatën në të ardhura qeveria shqiptare ka ndërmarrë një fushatë të ashpër antinformalitet në terren dhe në ndihme të këtij procesi ka ndryshuar procedurat tatimore duke 10 fishuar gjobat ndaj biznesit dhe ka bërë ndryshime në Kodin Penal duk shtuar masën e dënimit për evazion nga 3-10 vjet burg për 14 raste të ndryshme evazioni.
Teksa aksioni nisi në fillim të muajit shtator, sërish rezultati i të ardhurave në buxhet ka qenë zhgënjyes. Ministria e Financave raportoi për një deficit 6.9 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar për periudhën 9 mujore.
MONITOR