Nga Madridi i Spanjës, ku zhvillohet dhe kongresi i Partive Popullore Europiane, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se duhet rikthyer vendimarrja tek qytetarët dhe duhet larguar nga duart e klaneve kriminale, që sipas tij kanë zaptuar cdo gjë, nën qeverisjen e majtë. Basha shtoi se ka marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve në lidhje me procesin e derkiminalizimit të politikës por sipas tij është qeveria e majtë ajo që e kundërshton këtë proces, që për liderin e opozitës ilustrohet në rastin e mandatit të deputetit Mar Frroku.
” Edi Rama dhe partneri i tij Ilir Meta vazhdojnë me këmbëngulje të mbrojnë veprën e tyre, gjëmën e tyre të shëmtuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, inkriminimin e politikës. Siç është edhe rasti i fundit kur e refuzuan të heqin mandatin e Mark Frrokut, për të cilin ndërkohë ka nisur gjyqi në Belgjikë, siç refuzojnë një politikë të denjë dhe të pastër për qytetarët shqiptarë duke kandiduar persona me rekorde kriminale në zgjedhjet e fundit për kryetarë bashkish. Ne jemi te vendosur për kalimin e ligjit për dekriminalizmin dhe ç’është më e rëndësishmja implementimi i këtij ligji… Rikthimi i vendimmarrjes qytetarëve dhe jo klaneve kriminale që e kanë zaptuar për të rrjepur popullin, asetet publike, pasuritë publike dhe vendimmarrjen publike është misioni ynë “-tha Basha.
Lidhur me çështjen e CEZ, Basha ka shprehur dhe njëherë vendosmërinë e opozitës për t’i shkuar deri në fund asaj.
“Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë përveç një hetimi të mbështetur nga ekspertiza ndërkombëtare siç e kemi kërkuar me propozimin, ligjin që kemi çuar në Parlament, i cili po mbahet dhe nuk po votohet nga të njejtat persona që e ndaluan me ligj hetimin e aferës më të madhe korruptive, aferës së CEZ-it. Janë marrë 600 milionë euro, janë marrë pra një shumë e barabartë me gjithë fondin e pensioneve të Shqipërisë, janë zhdukur, janë vjedhur, janë ndarë. KLSH tashmë ka treguar edhe përmes dokumentave zyrtare edhe fajtorët e parë, personat e parë përgjegjës që janë ministri përkatës dhe zyra e Avokatit të Shtetit. Sigurisht urdhri ka qenë një urdhër politik, këtë e kemi kuptuar, këtë madje edhe e kanë pranuar. Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë asnjë tërheqje të opozitës për zbardhjen e kësaj afere korruptive”, tha Basha.