Anëtarët e Grupit Parlamentar Demokrat në Komisionin e Sigurisë i janë drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ku i kërkojnë informacion lidhur me dhunën e ushtruar ndaj disa të burgosurve në burgun e Shënkollit në Lezhë.
Rasti në fjalë sipas deputetëve të opozitës Alban Zeneli, Arlind Çaçani dhe Arbeni Elezi ka ndodhur me 2 tetor. Ata e kanë marrë denoncimin nga të burgosurit dhe familjarët e tyre.
Sipas deputetëve, ngjarja ka ndodhur pas protestës së një grupi prej 7 të burgosurish që vuajnë dënimin aty në lidhje me orarin e shkurtuar që kanë në dispozicion për të telefonuar familjarët e tyre.
Disa prej të burgosurve të dhunuar janë transferuar urgjentisht pranë institucioneve shëndetësore përkatëse në Fier dhe Fushë Krujë.
Deputetët e opozistë kërkojnë nga Ministrja Gjonaj informacion të detajuar rreth ngjarjes, ndëshkimin e dhunës së ushtruar dhe marrjen e masave parandaluese për mospërsëritjen e një ngjarje të tillë./l.m